Grida Duma: “Jeta vetmitare e të rinjve shqiptarë po i largon nga detyrimet shoqërore”
Dilema Sociale
10:56 23/11/2020
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 doli në votime një përqindje e vogël e popullsisë. Ata të cilët bojkotuan ishin të rinjtë. BERZH-i thotë se rinia shqiptare është indiferente për t’ju drejtuar kutive të votimit, ndërkohë flamurin e pjesëmarrjes në zgjedhje e mbajnë moshat mbi 55-vjeç. Indiferenca e të rinjve për të dalë në zgjedhje ka shumë arsye, por më kryesorja mesa duket është zhgënjimi nga politika. Kështu nisi diskutimi i sotëm në “Dilema Sociale” me Eno Popin ku e ftuara e parë e mbrëmjes ishte Grida Duma. Deputetja e PD-së, theksoi se kjo çështje, e parë në aspektin e sociologjisë është një fenomen që vitet e fundit nuk prek vetëm Shqipërinë. Me zhvillimin e teknologjisë nëpër botë të rinjtë e kanë harruar se çfarë është shoqërizimi duke i hyrë një jete vetmitare e virtuale. Sipas Gridës, kjo i ka bërë ata indiferentë kundrejt detyrimeve shoqërore dhe mendojnë se me 1 like në rrjete sociale apo me 1 koment e kanë kryer detyrën e tyre si anëtarë të një shoqërie në zhvillim. Kjo nuk ndodh vetëm për çështjen e votimit apo për politikën, por në tërësi për fenomenet që i prekin drejtpërdrejtë të rinjtë shqiptarë e jo vetëm. Por, politika është pjesë e jetës dhe është si loja e grupit. Gjatë diskutimit Grida përmend se politika ka pasur synim të mbrojë të rinjtë, do të ishte një zgjidhje e mirë që paratë e studenteve të mos jepeshin në dorë, por sipas saj duhet bërë një ulje në tarifën e shkollimit, te librat, aktivizimi në biblioteka, internet falas dhe gjithçka tjetër që ju lehtëson atyre jetesën studentore. Megjithatë, Grida Duma është e mendimit se familja ka një rol kyç në ndërgjegjësimin e të rinjve për rëndësinë e votimit dhe se si ata duhet të mësojnë të zgjedhin për të ardhmen e brezave që do të vijnë.
Rezart Prifti liston asryet pse të rinjtë shqiptarë nuk votojnë
Dilema Sociale
10:55 23/11/2020
Në emisionin “Delema Sociale” me Eno Popin i ftuar në studio ishte edhe Pedagogu Rezart Prifti. Në studion e Top Albania Radio-s u diskutua rreth të rinjve dhe përfshirjes së tyre në politikë dhe më e rëndësishmja pse ata largohen gjithmonë edhe më shumë nga votimet. Të rinjtë shqiptarë nuk votojnë pasi këtu të votosh nuk ka vlerë. Të rinjtë nuk janë rebelë, ata janë më të ndërgjegjshëm se më përpara, por thjesht nuk i tërheq kauza. Ata nuk ndihen të përfaqësuar në politikë. Mungesa e përfaqesimit mbi bazë vlerash, mungesa e meritokracisë. Çështje besimi, ata nuk kanë besim tek sistemi dhe nuk kanë siguri. Në shqipëri nuk ekziston bashkëpunimi që rrjedhimisht lidhet me besimin tek njëri-tjetri e më pas tek politika. Gjatë intervistës Eno Popi e pyet pedagogun nëse të rinjtë mund të blihen për votat dhe mendimi i tij ishte se të rinjtë vetëm mund të shantazhohen. “Ata nuk janë të shitshëm ose të bleshëm, thjeshtë kanë probleme me vendimmarrjen. Prandaj misioni i shkollimit është që t’i formojë ata dhe t’ju mësojë se cilat janë vlerat e vërteta” -shton Rezart Prifti.