Deputetët vazhdojnë të dështojnë ta konstituojnë përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës edhe katër muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, duke e lënë vendin pa institucione të reja. Ashtu si deri tani, ata u mblodhën shkurtimisht sot dhe nuk gjetën zgjidhje për zhbllokimin e ngërçit. Hera e 31-të që mblidhen e dështojnë dhe do të mblidhen përsëri pas 48 orëve, pra të dielën e 15 qershorit.
Dështimi ndodhi një ditë pasi kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku shpalosi një axhendë me 15pika për një qeveri të unitetit, duke i ftuar të gjitha partitë parlamentare ta formojnë atë si mënyrë për të dalë nga kriza politike.
Propozimi i LDK-së është kundërshtuar menjëherë nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës preferon një ekzekutiv mes partive që mandatin e kaluar ishin në opozitë. Një koalicion të tillë e preferon edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Duke folur para seancës, Fatmir Limaj, kryetari i Nismës Socialdemokrate që fitoi tre deputetë në një koalicion parazgjedhor me AAK-në, tha se pret që lideri i LDK-së t’ia prezantojë zyrtarisht agjendën e një qeverie të unitetit.
I pyetur rreth deklaratave të deputetit të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, partia e tij i ka siguruar edhe tri votat të Nismës, Limaj u përgjigj:
Jo, nuk i ka askush, përveç marrëveshje politike. Përmes marrëveshjes politike ndërtohen numrat dhe shumica parlamentare. Pa marrëveshje politike nuk mund të ketë zgjidhje. Besoj se do ta gjejmë shpejt.
Çështja ka ngecur te emërimi i kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Hera e 23-të që Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe, nuk propozojnë nga një anëtar për formimin e komisionit për votim të fshehtë për kandidaten e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit, meqë Haxhiu nuk ka arritur t’i marrë 61 votat e domosdoshme në votim të hapur.
Vetëvendosje, si fituese të zgjedhjeve, i takon të propozojë kandidatin për kryetar Kuvendi dhe ajo këmbëngul vazhdimisht se Haxhiu është figura e duhur, ndonëse për partitë tjera ajo është e papranueshme e konsiderohet figurë përçarëse.
Çështja e ndërrimit të mënyrës së votimit nga e hapur në të fshehtë është dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nga parti që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.