Rajoni

Kuvendi i Kosovës rimblidhet sërish për konstituimin/Seanca në orën 15:00!

Në vazhdimin e tretë të seancës së konstituimit të Kuvendit të Kosovës, deputetët dështuan që të zgjidhnin kreun e organit ligjvënës. Propozimi që Albulena Haxhiu të jetë kryetarja e re e parlamentit, dështoi dy herë që të merrte 61 votat e nevojshme. Pas kësaj, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndërpreu seancën deri sot, ora 15:00.

Pavarësisht dështimit për të zgjedhur Haxhiun si kryeparlamentare, paraprakisht deputetët e Kuvendit të Kosovës, miratuan raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve. Po ashtu, ata bënë betimin si ligjvënës të legjislaturës së nëntë, të dalë nga zgjedhjet politike të 9 shkurtit.

Haxhiu ka deklaruar se sërish do të jetë emri i propozuar nga subjekti i saj për postin e kryetares së Kuvendit pavarësisht dy përpjekjeve të dështuara në seancën për konstituimin e legjislaturës së nëntë, për shkak të mungesës së votave të nevojshme.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), përmes një deklarate për media, vlerëson se e njeh të drejtën kushtetuese të partisë së parë për të propozuar kandidatin/en për Kryetar të Kuvendit. Megjithatë, kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht edhe përkrahjen e saj për atë kandidaturë. Sipas PDK-së, ora për themelimin e institucioneve të reja të Republikës ka nisur.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas votimit të mandateve të deputetëve, u shpreh se është parë situata me numrat për formimin e institucioneve dhe arsyet e bllokimit.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, pas zhvillimeve në Kuvendin e Kosovës, theksoi nevojën urgjente për ndërtimin e institucioneve funksionale në vend.