Aktualitet Bota

“Lufta në Ukrainë forcoi lidhjet BE-SHBA”, Zelensky tregon se kur do të takohet me Putinin!

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, tha sot në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, se lufta me Rusinë forcoi unitetin midis Evropës dhe SHBA-së.

Zelensky tha se ndihet krenar për faktin që Ukraina është pjesë e një Evrope “të tillë të fortë”, sipas tij.

Ai theksoi se është e rëndësishme që “ky unitet” të mos humbasë.

Të bësh një marrëveshje paqeje pa Ukrainën ose Evropën nuk është një ide e mirë, tha Zelensky, duke iu referuar presidentit të SHBA-së Donald Trump, i cili dy ditë më parë zhvilloi bisedë telefonke me Vladimir Putin, raporton BBC.

Gjithashtu Zelensky tha se se do të takohet me presidentin rus Vladimir Putin për bisedimet e paqes vetëm pasi të jetë rënë dakord për një plan të përbashkët me udhëheqësit e SHBA-së dhe Evropës.

Volodymyr Zelensky paralajmëroi ndër të tjera se Rusia mund të sulmojë NATO-n vitin e ardhshëm, nëse nuk vendosen garanci të forta sigurie.

“Jam i gatshëm ta takoj atë vetëm nëse kemi një plan të përbashkët me Trump. Në asnjë format tjetër nuk do ta bëj këtë,” tha ai, duke komentuar spekulimet për një takim të mundshëm midis Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së në Arabinë Saudite.

“Rusët mund të avancojnë në Ukrainë ose të sulmojnë Poloninë dhe vendet baltike. Mendoj se ky është plani i Putinit. Sipas informacioneve të inteligjencës që kam, ai po përgatit një luftë kundër vendeve të NATO-s vitin e ardhshëm,” deklaroi Zelensky, duke shtuar se shpreson ta ndalojë këtë skenar.

Zelensky tha se, nëse Ukraina nuk bëhet pjesë e NATO-s, do të jetë e detyruar të dyfishojë numrin e forcave të saj ushtarake për të siguruar mbrojtjen e vendit.