Aktualitet Politikë

Nga projektligji për investimet strategjike te ngritja e një komisioni të ri hetimor, çfarë pritet sot në Kuvend!

Mblidhet Parlamenti për seancën e radhës (30 janar), e cila u shty për disa orë, për shkak të ceremonisë mortore të Kryepeshkopit Anastas Janullatos.

Seanca parashikohet me rend dite të ngjeshur, me të paktën 16 pika. Deputetët po mbërrijnë njëri pas tjetrit.

Pritet që kjo seancë të sjellë debate të forta në sallë mes kampeve politike, mazhorancë-opozitë, për shkak të disa prej projektligjeve në rend.

Një prej tyre edhe ai i investimeve strategjike, që është shtyrë deri në Dhjetor 2026 për regjistrim, për shkak të thithjes të sa më shumë investitorëve sipas PS, por që opozita e quan klientelist dhe me qëllime elektorale.

PD i quan nisma elektorale dhe është shprehur kundër tyre.

Gjithashtu pritet të diskutohen edhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor, për shkak të votës së Diasporës dhe veçanërisht posta e dërgimit të zarfit të votës.

Shkak i një debati të fundit është edhe propozimi i PD-së për votimin e emigrantëve, pasi opozita kërkon që shtetasit shqiptarë të votojnë edhe pa pasaportë e kartë identiteti shqiptarë, por edhe me dokumente të vendit ku jetojnë dhe punojnë prej vitesh. Por PS është shprehur kundër.

Një tjetër nismë që pritet të diskutohet ashpër është edhe propozimi i ministrit Blendi Klosi, për “Paketën e Maleve”, që gjithashtu PD e cilëson klientelist me qëllim zgjedhor në prag të 11 Majit, për të marë votat.

Gjithashtu edhe kërkesa e Partisë Demokratike për ngritjen e një komisioni hetimor për ligjshmërinë e projektit dhe koncesionit për Portin e ri të Durrësit, tatimi mbi të ardhurat, disa marrëveshje bilaterale, dhe diskutime të tjera jashtë rendit të ditës.