Aktualitet

Parlamenti Europian miratoi raportin për Shqipërinë, PD kërkon mocion me debat në Kuvend: Përsëriti shqetësimin për polarizimin e politikës

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar një kërkesë për zhvillimin e një mocioni me debat në Kuvend, lidhur me raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2025.

Kërkesa është firmosur nga kryetari i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, ndërsa në dokument janë listuar 20 çështje që, sipas opozitës, janë evidentuar në raportin e Parlamentit Europian dhe kërkojnë trajtim të menjëhershëm nga Kuvendi i Shqipërisë.

Në mesin e gjetjeve të përmendura, opozita i referohet edhe paralajmërimeve të Komisionit Evropian për ndikime të mundshme negative në procesin e integrimit europian të vendit, të lidhura me projektin e resortit në zonën e Zvërnecit.

Sipas grupit parlamentar, këto çështje duhet të diskutohen në mënyrë të posaçme në Kuvend, për shkak të rëndësisë që kanë për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar zhvillimin e një mocioni me debat mbi raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2025. Kërkesa mban firmën e kryetarit Gazment Bardhi, ndërsa në të listohen 20 shqetësime të evidentuara nga Parlamenti Evropian, të cilat kërkojnë një trajtim të menjëhershëm nga Kuvendi i Shqipërisë”, shkruan PD.