Policia e Shtetit njofton se ka pezulluar pa pagesë 3 efektivët e policisë të përfshirë në trafikun e bimëve narkotike të llojit cannabis sativa, nga Saranda në Greqi në vitet 2019-2021. 1.7 milion euro ishte vlera e drogës së trafikuar. Dy prej punonjësve u arrestuan dhe një është në kërkim, ky i fundit, shef i Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë.
Në pranga ra edhe një ish-efektiv, i cili në kohën e akuzave punonte në Drejtorinë e Forcës Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Në vitin 2023 u bë pjesë e primareve të Berishës për kandidat si kryetar bashkie për Roskovecin për zgjedhjet e 14 majit.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, thuhet se “bazuar në nenin 121 të Ligjit 82/2024 “Për Policinë e Shtetit” dhe në nenin 222 të Rregullores së Policisë, ka bërë menjëherë pezullimin pa pagesë të tre punonjësve të policisë, konkretisht: Sh.R., me detyrë Shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë. E.A., me detyrë Shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë dhe E.D., me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë, i shpallur në kërkim.
Gjithashtu, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetimin disiplinor për shkelje të rëndë ndaj këtyre punonjësve.
Policia e Shtetit vijon bashkëpunimin me të gjitha agjencitë ligjzbatuese për evidentimin dhe largimin nga radhët e saj të punonjësve që cenojnë imazhin e Organizatës së Policisë së Shtetit.