Në kishën e Shën Ndout në Laç u mbyll me natën e djeshme dhe ditën e sotme, 13 qershor, mbahet pelegrinazhi i përvitshëm. Besimtarët vijnë nga të gjitha qytetet e vendit, ku një pjesë e madhe e tyre qëndrojnë natën në ambientet përreth kishës, duke e kthyer këtë ngjarje në një moment të rëndësishëm shpirtëror.
Kryetarja e bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara ndau në rrjetet sociale pamje nga kisha e Shën Ndout në Laç.
Nata e 12 qershorit dhe dita e 13 qershorit shënojnë përfundimin e pelegrinazhit të përvitshëm të 13 Martave të Shën Ndout. Për 13 javë rresht, qindra e mijëra besimtarë nga vendi e diaspora iu drejtuan kishës së bekuar në një udhëtim shpirtëror dhe afrimi me Zotin përmes lutjesh për më shumë mbarësi, shëndet e lumturi. Në këtë ditë e natë të shenjtë, jo vetëm për Kurbinin dhe kurbinasit, por për të gjithë besimtarët shqiptarë pa dallim, më lejoni të uroj çdonjërin prej jush me shprehjen më të zakontë dhe kuptimplotë të të gjithë besimtarëve, Shën Ndou ju ndihmoftë!
Pelegrinët janë nga çdo skaj i vendit dhe përfaqësojnë besime të ndryshme. Ata besojnë tek mrekullitë e Kishës së Laçit, ndaj edhe e frekuentojnë.
Mijëra persona udhëtojnë çdo të javë drejt kishës së Shën Ndout në Laç deri në ditën e 13 qershorit, kur është dhe festa e këtij shenjti dhe numri i pelegrinëve shkon mbi 1 milion.
Kisha e Shën Ndout daton që nga shekulli XIII dhe objekti i rëndësishëm i kultit mori famë për shkak të Shën Ndout, një predikues i njohur katolik.