Shqiponja Axhami Trota vjen me një tjetër libër të ri, por kësaj radhe në prozën e shkurtër. Një përmbledhje me prurjet më të mira që autorja ka në prozën e shkurtër.
“Pengu i një varrmihësi” është një histori e thjeshtë, tejet e trishtë. Por jo vetëm kaq: është art i një shpirti të trazuar, krejt i vërtetë, bindës e që të gëlon në mendje. Shaba (Shabani) s’ia ndan sytë së vërtetës, edhe pse zhele, i vetmuar, i mbaruar, gjithnjë i mbërthyer në lak po me ata rioshë të dalldisur pas bëmave dhe fjalëve, shpifjeve të rrëzuara përrenjve dhe skërkave, ulje-ngritjeve përplot dallgë e stuhi – edhe këto fort njerëzore.
Te ky derëzi nuk shfaqen kurrë as bardhoshet e as ato ezmerkat që kundërmonin erë trëndeline, pa dyshim që s’u qasej kurrë shtëpive, pronë e tij ishte jeta e mjerë, e ndyrë, e vrarë, e menderosur mos më keq. I zbehtë prej trishtimit, i mërzitur thellë në shpirt, vazhdimisht viktimë e dyndur në disa labirinte që mund t’i bënin gjëmën; që mund ta bluanin të gjallë. Ky ishte Shaba, ose Shabani, lopçari vullnetar pasi s’dinte të bënte gjë tjetër, e që hante mbi shpinë rrahjet, shpifjet, duke i ndenjur si thikë e ngulur dhelpërisht nga një surrat me shpirt të sterrosur si Ali Batakçiu. Pastaj autori thërret në ndihmë natyrën bashkë me gjetjet e mrekullueshme artistike, shoqëruar me lëng jete të vërtetë, të një niveli të lartë dhe pa një cen.
Lexuesit i mbetet vetëm ta përpijë që në leximin e parë dhe t’ia përthithë me gjithë shijen. Tregimi bart një kreshendo llahtarisht të bukur me skenën e fundit: ëndrrën e varrmihësit që të lë pa mend dhe të duket se asgjë tjetër s’pinte ujë para saj. Një mënyrë sesi ta sikteriste gënjeshtrën, që çdo herë ta çonte mendjen tek e vërteta, gjithnjë duke ndjerë një tronditje gati si një fatkeqësi, që vijnë papritur si hordhitë barbare dhe të rroposin përgjithmonë, duke u poshtëruar me një buzëqeshje të rrënuar triumfi…
Xhevair Lleshi