Bota

Rebelët marrin kryeqytetin sirian Damask/Presidenti Assad largohet nga Siria!

Zhvillime të jashtëzakonshme në Siri. Qeveria ra në një fund të habitshëm të sundimit 50-vjeçar të familjes Assad, pas një ofensive të papritur rebele që shpërtheu në territorin e kontrolluar nga qeveria dhe hyri në kryeqytet vetëm pas 10 ditëve. Televizioni shtetëror transmetoi një video-deklaratë të një grupi burrash që thanë:

Presidenti Bashar al-Assad u rrëzua e të gjithë të burgosurit në burgje janë liruar.

Personi që lexoi deklaratën u shpreh se Dhoma e Operacioneve për të Pushtuar Damaskun, një grup opozitar, iu bëri thirrje të gjithë luftëtarëve e qytetarëve opozitarë, të ruajnë institucionet shtetërore të “shtetit të lirë sirian”.

Më herët, drejtuesi i një monitoruesi të luftës së opozitës siriane tha se “Assad u largua nga Siria për në një vend të panjohur duke ikur përpara kryengritësve që thanë se hynë në Damask pas përparimit jashtëzakonisht të shpejtë në të gjithë vendin”.

Kryeministri sirian, Mohammed Ghazi Jalali vuri në dukje se qeveria është e gatshme t’i “zgjasë dorën” opozitës e t’i kalojë funksionet një kabineti kalimtar.

Unë jam në shtëpinë time dhe nuk jam larguar. Do të shkoj në zyrë për të vazhduar punën dhe i bëj thirrje qytetarëve sirianë, të mos dëmtojnë pronën publike.

Jalali nuk konfirmoi nëse Assad u largua. Por Rami Abdurrahman i Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut i tha Associated Press-it se të dielën, Assad mori një fluturim nga Damasku. Televizioni shtetëror i Iranit, vendit që njihet si mbështetësi kryesor i Assad-it në vitet e luftës në Siri, raportoi se presidenti u largua nga kryeqyteti. Për informacionin citoi rrjetin e lajmeve Al Jazeera të Katarit e nuk dha detaje.

Kur zbardhi dita, turmat në Damask u mblodhën për t’u lutur në xhamitë e qytetit e për të festuar në sheshe, duke brohoritur “Zoti është i madh!”. Po ashtu, thërrisnin slogane kundër Assad-it dhe iu binin borive të makinave. Në disa zona u dëgjuan të shtëna festive.

Hera e parë që forcat opozitare arrijnë në Damask që nga 2018-ta, vit kur trupat siriane rimorën zonat në periferi të kryeqytetit pas një rrethimi shumëvjeçar. Radio pro qeveritare “Sham FM” raportoi se aeroporti i Damaskut u evakua dhe të gjitha fluturimet u ndalën.

Kryengritësit njoftuan se hynë në burgun famëkeq ushtarak Saydnaya, në veri të kryeqytetit duke liruar të burgosurit e lidhur me ta. Një natë më parë, forcat opozitare morën qytetin qendror të Homsit, i treti më i madhi në Siri, pasi forcat qeveritare e braktisën.

Homs gjendet në një kryqëzim të rëndësishëm midis Damaskut dhe provincave bregdetare Latakia e Tartus, baza e mbështetjes së liderit sirian, si dhe zonë e një baze strategjike detare ruse. Në një ofensivë të rrufeshme që filloi më 27 nëntor, rebelët pushtuan qytetet e Aleppos e Hamës, si dhe pjesë të mëdha të jugut. Analistët thanë se kontrolli rebel i Homsit do të ndryshonte lojën.

Një komandant i tyre, Hassan Abdul-Ghani, postoi mesazhin se forcat opozitare kishin filluar “fazën përfundimtare” të ofensivës së tyre duke rrethuar Damaskun. HTS kontrollon pjesën më të madhe të Sirisë veriperëndimore e në vitin 2017 krijoi një “qeveri shpëtimi” për të drejtuar punët e përditshme në rajon.

Vitet e fundit, kreu i HTS-së, Abu Mohammed al-Golani është përpjekur të ribëjë imazhin e grupit, duke ndërprerë lidhjet me al-Kaedën, hequr dorë nga zyrtarët e linjës së ashpër dhe duke u zotuar të përqafojë pluralizmin e tolerancën fetare.

Të armatosurve të opozitës, qeveria iu referua si “terroristë që nga shpërthimi i konfliktit në mars 2011”. Kryediplomati i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, kritikoi Assad-in se dështoi të përfitonte nga qetësia e luftimeve në vitet e fundit, për të adresuar problemet themelore të vendit.

Assad-i nuk e shfrytëzoi mundësinë për të filluar angazhimin dhe rivendosjen e marrëdhënieve me popullin e tij.