Ekspertët thonë se rënia e regjimit të Assad-it paraqet humbje të madhe gjeopolitike për Kremlinin, që bashkë me Teheranin kanë mbështetur qeverinë siriane përgjatë luftës civile që nisi më 2011-ën. Instituti për Studimin e Luftës, me bazë në SHBA, pati deklaruar se “forcat e regjimit të Assadit kanë rënë dhe mbështetësit e Assad-it duket se nuk kanë vullnet që të mbështesin ushtrinë arabe siriane, duke dislokuar menjëherë forca shtesë”.
Rusia ka disa objekte ushtarake në Siri, përfshirë bazën ajrore në Hmeimim e një tjetër strategjike detare në Tartus, që janë përdorur edhe për të mbështetur veprimet e Kremlinit në Afrikë. Ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, nuk pranoi të komentonte për fatin e bazave ruse, duke u shprehur se “nuk është në interesin e askujt që të hamendësojmë”.
Instituti për Studimin e Luftës deklaroi se Moska ende nuk është evakuar nga baza, “por mbetet e paqartë nëse Rusia do të mbajë anije në port, me rebelët sirianë që përparuan me shpejtësi në territoret e mbajtura nga regjimi”. Një ditë më parë, Departamenti amerikan i Shtetit i tha Radios Evropa e Lirë se Uashingtoni po monitoron nga afër situatën në Siri.
Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e aleatët, bënë thirrje që civilët, përfshirë anëtarët e grupeve minoritare, të mbrohen. Koha për të negociuar një fund të konfliktit sirian në përputhje me parimet e përcaktuara në Rezolutën 2254 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Refuzimi i regjimit të Assad-it për të marrë pjesë në këtë proces ka çuar drejtpërdrejt në situatën aktuale.
Ndërkohë, presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, tha:
Shtetet e Bashkuara nuk duhet të kenë asnjë lidhje me luftën në Siri, ku një kontingjent i vogël i forcave amerikane vazhdon të jetë i dislokuar në disa zona.
Përveç rebelëve të HTS-së, në ofensivë ka edhe luftëtarë të grupit të milicive siriane që mbështeten nga Turqia, e cila mohon se mbështet ofensivën, por ekspertët thonë se kryengritësit nuk do të përfshiheshin në të, pa dakordësimin turk.
Para dy ditëve, Kombet e Bashkuara thanë se pothuajse 300 mijë persona në Siri janë zhvendosur që nga fundi i nëntorit për shkak të luftimeve, duke shtuar se deri në 1.5 milion vetë mund të detyrohen të zhvendosen. Assad-i mbështetej te Irani dhe Rusia për të qëndruar në pushtet, që kur shpërtheu konflikti më 2011-ën.
Që kur rebelët morën kontrollin e Alepos një javë më parë, ata siguruan edhe të tjera qytete të mëdha. Forcat e Assad-it bënë pak rezistencë.