Bota

Rusia kryen sulme vdekjeprurëse në Odesa!

Një person u vra dhe të paktën 14 të tjerë u plagosën kur gjatë natës, dronët rusë sulmuan Odesën, qytetin ukrainas në Detin e Zi. Si pasojë e tyre, u dëmtuan ndërtesa e infrastrukturë hekurudhore, referuar autoriteteve lokale dhe prokurorëve në njoftimet e sotme.

Në Odesa ndodhet porti më i madh i Ukrainës në Detin e Zi, i cilësuar kyç për importet dhe eksportet e mallrave. Ky qytet ka qenë nën sulme të vazhdueshme me dronë dhe raketa nga Rusia, që kur Moska nisi pushtimin e plotë të Ukrainës”, në shkurt të vitit 2022.

Pavarësisht punës aktive të forcave të mbrojtjes ajrore, raportohen dëme në infrastrukturën civile, përfshirë në godina banimi, në një institucion të arsimit të lartë, në një gazsjellës dhe në makina private, tha guvernatori Oleh Kiper, përmes një postimi në Telegram, ku publikoi edhe foto të makinave të djegura e ndërtesave të shkatërruara.

Shërbimet lokale të urgjencës u shprehën se gjatë sulmeve, të paktën dhjetë dronë goditën ndërtesat e banimit, duke shkaktuar zjarre të mëdha. Forcat Ajrore të Ukrainës thanë sot se Rusia lëshoi 86 dronë drejt Ukrainës gjatë orëve të natës.

Ushtria deklaroi se mbrojtja ajrore rrëzoi 34 dronë e 36 të tjerë “humbën”, një term që përdoret nga ushtria ukrainase për të treguar se dronët ose janë penguar me pajisje elektronike luftarake ose kanë ndryshuar drejtim. Megjithatë, ushtria ukrainase raportoi se dronët goditën në tetë vendndodhje të ndryshme.

Kompania shtetërore e hekurudhave në Ukrainë tha se stacioni hekurudhor në Odesa është dëmtuar gjatë sulmit. Autoritetet theksuan se po ashtu, Rusia ka sulmuar me dronë Harkivin, në verilindje të Ukrainës, duke dëmtuar disa shtëpi private.