Bota

Të paktën 26 të vrarë nga sulmet raketore të Indisë në territorin pakistanez!

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, India lëshoi raketa mbi disa zona të territorit të kontrolluar nga Pakistani, duke shkaktuar të paktën 26 viktima. Islamabadi e cilësoi sulmin si një “akt lufte”, duke paralajmëruar kundërpërgjigje të fuqishme.

Sipas autoriteteve indiane, goditjet kishin në shënjestër struktura të përdorura nga militantë të dyshuar për sulmin tragjik të muajit të kaluar në Kashmirin indian, ku u vranë 26 turistë hindu. Në reagim, Pakistani pretendon se ka rrëzuar disa avionë luftarakë indianë, ndërsa dy prej tyre ranë në territorin e kontrolluar nga India. Si pasojë, të paktën shtatë civilë humbën jetën në Kashmirin indian.

Fotografi të oficerëve të policisë që nderojnë viktimat në Pahalgam kanë prekur opinionin publik, ndërsa tensionet mes dy vendeve – që posedojnë armë bërthamore – kanë hyrë në një fazë alarmante.

Kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif reagoi ashpër, duke thënë:

Pakistani ka çdo të drejtë të përgjigjet me forcë ndaj këtij akti lufte të imponuar nga India. Dhe ne jemi duke u përgjigjur.

Në Islamabad, Komiteti i Sigurisë Kombëtare pritet të mblidhet për të diskutuar hapat e radhës. Nga ana tjetër, India deklaroi se kishte goditur nëntë vende ku supozohej se po planifikoheshin sulme terroriste ndaj saj. Ministria indiane e Mbrojtjes nënvizoi se operacioni ishte “i përqendruar, i matur dhe jopërshkallëzues”, duke shtuar se asnjë objekt ushtarak pakistanez nuk ishte synuar.

Sipas ushtrisë pakistaneze, ndër objektivat e goditur ishin edhe dy xhami në Bahawalpur dhe Muridke, të lidhura më parë me grupe të ndaluara si Jaish-e-Mohammed dhe Lashkar-e-Taiba. Në njërën prej tyre, në Bahawalpur, humbën jetën 13 persona, përfshirë një fëmijë. Disa prej objekteve nuk kanë pasur aktivitet militant për më shumë se një dekadë, sipas zyrtarëve lokalë.

Ndërkohë, përshkallëzimi ka ndezur alarmin edhe në kryeqytetet perëndimore. Presidenti amerikan, Donald Trump, u informua menjëherë mbi zhvillimet dhe u shpreh se shpreson që “përleshjet të përfundojnë sa më shpejt.” Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, bëri thirrje për vetëpërmbajtje maksimale nga të dyja palët.

Në përpjekje për të shmangur një përplasje më të gjerë, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, zhvilloi bisedime urgjente me zyrtarë të lartë të sigurisë në Islamabad dhe Nju Delhi. Sipas tij, SHBA po inkurajon të dyja vendet të rihapin kanalet e komunikimit për të ndalur përshkallëzimin.

Ndërkohë, ekspertët paralajmërojnë për rrezikun që sjell reagimi i nxituar nga të dyja palët.

“Pretendimet e Pakistanit për një inskenim nga India janë të pamatura pa prova. Por edhe India duhet të jetë më e kujdesshme në akuzat e saj”, tha Hassan Abbas, profesor në Qendrën për Studime Strategjike të Azisë Jugore.

Situata në kufirin indo-pakistanez mbetet tejet e brishtë, me civilë që jetojnë në frikë dhe me botën që mban frymën për të shmangur një tjetër konflikt të madh në një nga rajonet më të tensionuara të globit.