Aktualitet Bota

Turma dhe persona të armatosur mblidhen në Gaza përpara lirimit të katër pengjeve izraelite!

Izraeli dhe HamasI pritet të bëjnë një shkëmbim të pengjeve me të burgosurit palestinezë ditën e sotme, raporton BBC. Ky është shkëmbimi i dytë që nga nisja e armëpushimit në Rripin e Gazës fundjavën e kaluar.

Armëpushimi ka si qëllim ndalimin e luftës më shkatërruese dhe më vdekjeprurëse mes Izraelit dhe grupit militant. Marrëveshja deri tani është mbajtur, duke qetësuar sulmet ajrore dhe raketat dhe duke mundësuar që ndihmat të arrijnë në këtë territor të vogël bregdetar.

Kur nisi armëpushimi, tre pengje të mbajtur nga militantët janë liruar në këmbim të 90 të burgosurve palestinezë. Sot, pritet të lirohen katër pengje në këmbim të 200 të burgosurve, përfshirë 120 që po vuajnë dënime me burgim të përjetshëm për sulme të vdekjeprurëse ndaj izraelitëve. Ata mund të lirohen në Gaza ose të dërgohen jashtë vendit.

Katër ushtarët izraelitë, Karina Ariev, 20 vjeçe; Daniella Gilboa, 20 vjeçe; Naama Levy, 20 vjeçe; dhe Liri Albag, 19 vjeçe, u kapën në sulmin e Hamas më 7 tetor 2023, që ndezi luftën.

Ata u morën nga baza Nahal Oz afër kufirit me Gazën, kur militantët palestinezë e pushtuan vendin, duke vrarë më shumë se 60 ushtarë. Gratë e rrëmbyera kishin shërbyer në një njësi vëzhguesish të ngarkuar me monitorimin e kërcënimeve përgjatë kufirit. Një ushtare tjetër femër, Agam Berger, 20 vjeçe, ishte rrëmbyer me ta, por nuk u përfshi në listë.

Pas këtij shkëmbimi, Izraeli pritet të fillojë të tërhiqet nga korridori Netzarim – një rrugë lindje-perëndim që ndan Gazën në dy pjesë – dhe të mundësojë që palestinezët e zhvendosur në jug të kthehen në shtëpitë e tyre të mëparshme në veri për herë të parë që nga fillimi i luftës.

Çfarë do të ndodhë pas fazës fillestare të gjashtë javëve të marrëveshjes mbetet e pasigurt, por shumë shpresojnë se do të çojë në përfundimin e një lufte që ka shkatërruar pjesë të mëdha të Gazës, ka zhvendosur shumicën e popullsisë së saj dhe ka lënë qindra mijëra njerëz në rrezik urie.

Konflikti ka filluar me një sulm nga Hamasi më 7 tetor 2023, kur militantët palestinezë vranë rreth 1,200 njerëz, kryesisht civilë, dhe morën rreth 250 të tjerë pengje.

Më shumë se 100 pengje janë liruar gjatë një armëpushimi njëjavësh në muajin nëntor. Por dhjetëra të tjerë kanë mbetur në robëri për më shumë se një vit, pa kontakt me botën e jashtme. Izraeli beson se të paktën një e treta e më shumë se 90 pengjeve që janë ende në Gaza janë vrarë në sulmin fillestar ose kanë vdekur në robëri.

Lufta ajrore dhe tokësore e Izraelit, një nga më të vdekjeprurësit dhe më shkatërrueseve në dekada, ka vrarë më shumë se 47,000 palestinezë, sipas zyrtarëve të shëndetësisë lokale, të cilët nuk thonë se sa ishin militantë. Ata thonë se gratë dhe fëmijët përbëjnë më shumë se gjysmën e viktimave.