Sydney Sweeney ka reaguar për një nga historitë më të diskutuara të sezonit të tretë të serialit “Euphoria”, duke sqaruar se nuk identifikohet aspak me zgjedhjet e personazhit të saj, Cassie Howard.
Aktorja 28-vjeçare ka folur hapur për polemikat që shpërthyen pasi Cassie iu drejtua krijimit të përmbajtjeve me abonim për të rriturit, një zhvillim që shkaktoi reagime të forta mes fansave të serialit.
Në një intervistë për Vanity Fair, Sydney Sweeney theksoi se e sheh rolin e saj si një sfidë artistike dhe jo si pasqyrim të bindjeve apo zgjedhjeve personale.
Ajo tregoi se krijuesi i serialit, Sam Levinson, i kishte dërguar paraprakisht të gjithë skenarët dhe kishte diskutuar me të për çdo zhvillim të personazhit.
Skenat ishin tashmë të shkruara dhe më pyeti si ndihesha për to. I thashë se unë jam duke luajtur një personazh. A jam dakord me të gjitha vendimet e Cassie-t? Jo. A do t’i bëja vetë ato zgjedhje? Sigurisht që jo
-u shpreh aktorja.
Sweeney shtoi se detyra e saj është të sjellë në ekran historinë e personazhit në mënyrën më të ndershme dhe bindëse të mundshme, pavarësisht nëse pajtohet apo jo me veprimet e tij.
Ajo analizoi edhe anën emocionale të Cassie-t, duke argumentuar se personazhi ka qenë gjithmonë në kërkim të dashurisë dhe vlerësimit nga të tjerët.
Cassie nuk di si ta dojë veten nëse nuk ndihet e dashur nga dikush tjetër
-tha aktorja, duke shpjeguar motivet që qëndrojnë pas zgjedhjeve të saj në serial.
Sipas Sweeney-t, rruga që ndjek Cassie në sezonin e tretë lidhet me dëshirën për t’u ndjerë e rëndësishme dhe e pranuar nga një audiencë më e madhe, ndërsa bota e saj personale vazhdon të ndryshojë.
Ndërkohë, debati rreth historisë së personazhit vazhdon të ndezë rrjetet sociale, me shumë fansa që kanë kritikuar drejtimin e ri të serialit. Megjithatë, Levinson ka mbrojtur vendimet krijuese, duke këmbëngulur se zhvillimi i Cassie-t është pjesë e natyrshme e evolucionit të personazhit.
Pavarësisht polemikave, emri i Sydney Sweeney vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes, ndërsa çdo episod i ri i “Euphoria” po gjeneron diskutime të shumta mes publikut.