Pamje të pazakontë nga Kina ku një grua 92-vjeçare arratiset nga një azil për të moshuar duke kapërcyer një portë metalike rreth dy metra të lartë.
Të regjistruara dy vjet më parë në qytetin Yantai, imazhet janë parë miliona herë në rrjetet sociale dhe kanë habitur publikun për shkak të aftësive fizike të gruas së moshuar. Sipas raportimeve të kohës, ajo vuante nga sëmundja e Alzheimerit, por kjo nuk e pengoi të planifikonte dhe realizonte arratisjen.
Bën habi si 92-vjeçarja, rreth 1.60 metra e gjatë, ngjitet me kujdes në portën metalike, gjen ekuilibrin në majë të saj dhe më pas kalon në anën tjetër duke u hedhur poshtë. I gjithë veprimi zgjat vetëm 24 sekonda.

Shkathtësia dhe vendosmëria e saj kanë ngjallur komente të shumta në internet, ku shumë përdorues e kanë cilësuar skenën si të denjë për një film aksion, ndërsa të tjerë kanë ngritur shqetësime për masat e sigurisë në institucionin ku ishte e strehuar.