Bota Food & Drink

70-vjetori i mbretërimit të Elizabetës, një libër me anekdota për ushqimin në diplomacinë britanike!

Festimet për mbretërimin 70-vjeçar të Mbretëreshës Elizabeta e Dytë, më 28 prill publikohet “Platinum Jubilee Cookbook”. Një libër gatimi që shënon jubileun e platintë të monarkes dhe që siç shkruajnë në parathënie princi Çarls e bashkëshortja Kamila “do të festojë ndarjen e bukës me njerëz nga e gjithë bota”.

Botimi prezanton 70 receta nga ambasadat britanike, përfshirë marmelatën e famshme spanjolle nga ambasada e Madridit dhe peshkun pikant nga ajo e Islamabadit. Po ashtu do të përfshijë anekdota lidhur me përdorimin e ushqimit në diplomacinë britanike. Në parathënie, princi i Uellsit dhe dukesha e Kornuollit shkruajnë se “70 vjet më parë, kur Elizabeta nisi të mbretëronte, kishte një këndvështrim të ngushtë të kuzhinës së Britanisë së Madhe”.

Shtatëdhjetë vjet më parë, kur ajo hipi në fron, këndvështrimi i kuzhinës në Britani ishte i ngushtë, pasi disa ushqime ende jepeshin të racionuara dhe zgjedhja e pakët e përbërësve që ofroheshin, përbënte një sfidë edhe për kuzhinierin më krijues.

Ushqimet nga pjesët e tjera të botës thuajse kanë qenë të padëgjuara. Peshku dhe patatet e skuqura, variantet më të përhapura. Vaji i ullirit shitej në shishe të vogla nga kimistët për përdorim mjekësor e jo në kuzhinë.

Por, vitet kaluan dhe kohët ndryshuan. Tashmë, shijet e kombit janë transformuar nga përfshirja e kuzhinave të vendeve të tjera në shtëpitë e britanikëve.

Më shumë se kurrë më parë, ne mirëpresim trashëgiminë e kuzhinës së njëri-tjetrit në shtëpitë tona dhe për këtë, jemi thellësisht mirënjohës!

Ushqimet janë bërë më të shumëllojshme, por Çarls dhe Kamila thonë se “një gjë ka mbetur konstante: rëndësia e madhe, pothuajse shpirtërore, e ndarjes së bukës me të tjerët”.

Në të gjitha vizitat mbretërore, ushqimi luan një rol të rëndësishëm duke paraqitur mundësinë për të shijuar një shije të trashëgimisë kulinare të vendit pritës, duke ofruar gjithashtu një shans për të ndarë më të mirën e kuzhinës britanike!