Aktualitet

Amnistia Fiskale, FMN: Shqipëria ende jo gati, dëmton moralin tatimor!

Në një konferencë për mediat, në kuadër të rishikimit të Programit me Shqipërinë, shefja e misionit të FMN-së, Yan Sun tha se “amnistia fiskale dëmton moralin tatimor dhe duket si një kartë për të favorizuar evazorët, pasi përfshin një falje të konsiderueshme”.

Qeveria duhet të ndryshojë ligjin e amnistisë në një program vetëdeklarimi vullnetar, por vetëm pasi të përmbushen disa parakushte. Duhet ngritur një  sistem modern i administratës tatimore, për marrjen e informacionit e po kështu një sistem i përshtatshëm për zbatimin.

Nevoja për të pasur një sistem të tillë e për t’i dhënë besim publikut është të kuptohet se evazorët fiskalë do të ndiqen dhe penalizohen. Një tjetër kusht është kuadri kundër pastrimit të parave e financimit të terrorizmit.

Përveç deficiteve e borxhit të lartë, tani Shqipëria po goditet nga çmimet e larta të energjisë dhe ushqimeve. Këtë vit, ekonomia do të rritet 3.7% dhe vitin tjetër 2%. Të zbatohet strategjia afatmesme fiskale dhe buxheti të kalojë në balancë primare pozitive vitin që vjen e në vitin 2024, balanca pozitive të arrijë në 1,4% të PBB-së.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj tha se “duken të ulëta gjasat për recesion të ekonomisë sonë vitin e ardhshëm, por do të jemi vigjilentë për çdo skenar e kemi plane alternative përshtatjeje”. Këtë vit, borxhi publik do të jetë poshtë 70% e PBB-së.

Për rritjen ekonomike, MFE ka parashikuar të rrisë projeksionin në 3.7% nga 3.2% që ishte. Nëse ndodh një skenar i plotë recesioni në vendet partnere të BE-së, ndoshta dhe rritja e vitit të ardhshëm mund të jetë me ulët se 2%. Balanca totale e risqeve anon më tepër në kahun negativ. Goditja globale nga kahu i ofertës sigurisht që ka pasur dhe do ketë një ndikim negativ në ekonominë tonë, siç ka pasur në vendet e rajonit e më gjerë. Deri tani ekonomia e ka përballuar mirë. Rritja ekonomike në gjysmën e parë të vitit ishte 4.2%.