Showbiz

Grida Duma: “Jeta vetmitare e të rinjve shqiptarë po i largon nga detyrimet shoqërore”

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 doli në votime një përqindje e vogël e popullsisë. Ata të cilët bojkotuan ishin të rinjtë. BERZH-i thotë se rinia shqiptare është indiferente për t’ju drejtuar kutive të votimit, ndërkohë flamurin e pjesëmarrjes në zgjedhje e mbajnë moshat mbi 55-vjeç. Indiferenca e të rinjve për të dalë në zgjedhje ka shumë arsye, por më kryesorja mesa duket është zhgënjimi nga politika.

Kështu nisi diskutimi i sotëm në “Dilema Sociale” me Eno Popin ku e ftuara e parë e mbrëmjes ishte Grida Duma. Deputetja e PD-së, theksoi se kjo çështje, e parë në aspektin e sociologjisë është një fenomen që vitet e fundit nuk prek vetëm Shqipërinë.

Me zhvillimin e teknologjisë nëpër botë të rinjtë e kanë harruar se çfarë është shoqërizimi duke i hyrë një jete vetmitare e virtuale. Sipas Gridës, kjo i ka bërë ata indiferentë kundrejt detyrimeve shoqërore dhe mendojnë se me 1 like në rrjete sociale apo me 1 koment e kanë kryer detyrën e tyre si anëtarë të një shoqërie në zhvillim.

Kjo nuk ndodh vetëm për çështjen e votimit apo për politikën, por në tërësi për fenomenet që i prekin drejtpërdrejtë të rinjtë shqiptarë e jo vetëm. Por, politika është pjesë e jetës dhe është si loja e grupit.

Gjatë diskutimit Grida përmend se politika ka pasur synim të mbrojë të rinjtë, do të ishte një zgjidhje e mirë që paratë e studenteve të mos jepeshin në dorë, por sipas saj duhet bërë një ulje në tarifën e shkollimit, te librat, aktivizimi në biblioteka, internet falas dhe gjithçka tjetër që ju lehtëson atyre jetesën studentore.

Megjithatë, Grida Duma është e mendimit se familja ka një rol kyç në ndërgjegjësimin e të rinjve për rëndësinë e votimit dhe se si ata duhet të mësojnë të zgjedhin për të ardhmen e brezave që do të vijnë.