Bota

Humbja e Lisiçanskut nga ukrainasit, Zelensky: Do ta rimarrim!

Me bombardimet ruse që nuk ndalen, lufta në Ukrainë hyri sot në ditën e 131-të. Raportohet se për të dytën ditë radhazi, trupat ushtarake të Moskës po godasin qytetin ukrainas Kramatorsk dhe tashmë i kanë shtrirë duart në Lisiçansk. Bastioni i fundit i Kievit zyrtar në rajonin lindor Lugansk tashmë ka rënë. Ushtria ukrainase njoftoi tërheqjen, pas javësh të tëra luftimesh të ashpra me trupat pushtuese.

Por, pavarësisht tërheqjes nga Lisiçansku, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky beson se shumë shpejt do të rikthehen, duke rimarrë territoret e humbura. Zelensky shpreh bindjen se këtë do ta bëjnë përmes taktikave të përparuara ushtarake e armëve moderne. “Do të mbrojmë jetën e ushtarëve e të popullit tonë. Do të rindërtojmë mbrojtjen e kjo vlen edhe për Lisiçanskun”, – deklaroi presidenti i Ukrainës.

Ndërkohë, nuk ndryshojnë kushtet e Kievit drejtuar Kremlinit për negociata: armëpushim e tërheqje e trupave ruse. Ndër të tjera, Brukseli zyrtar beson se sanksionet po japin ndikim domethënës në Rusi. Sipas kryediplomatit të Bashkimit Europian, Josep Borrell, “ndoshta në një të ardhme të afërt, presidenti rus Vladimir Putin do të detyrohet të ndryshojë llogaritë strategjike, pasi për momentin, veprimet e tij nuk udhëhiqen nga logjika ekonomike”.

Në Slloviansk të rajonit Donjeck, gjashtë persona humbën jetën dhe 19 të tjerë u plagosën. Mes viktimave të bombardimeve të Rusisë është gjithashtu një vajzë 10-vjeçe.

Më herët, Rusia pretendoi se ka pushtuar qytetin strategjik ukrainas të Lisiçanskut dhe të gjithë rajonin e vijës së parë të Luganskut, çka po konsiderohet si një përparim vendimtar për Moskën që kërkon kontrollin e lindjes së vendit fqinj të cilit i shpalli luftë më 24 shkurt. Zhvillimi erdhi pasi Bjellorusia, aleate e Rusisë bëri se kapi raketa të lëshuara nga Kievi dhe Moska raportoi se Ukraina lëshoi tre raketa në Belgorod, duke vrarë katër persona. Kapja e Lisiçanskut do të sinjalizonte një shtytje më të thellë ruse në Donbas, në fokus që prej tërheqjes nga Kievi.