Bota

Kryediplomatja Truss i shtohet garës për kreun e qeverisë britanike!

Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss, sot iu bashkua garës për të zëvendësuar Boris Johnsonin në postin e kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar. Truss, e cila ka mbajtur poste ministrore, duke përfshirë tregtinë, drejtësinë dhe thesarin, tha se do t’i ulë taksat e se do të mbajë një qëndrim të ashpër kundër presidentit rus, Vladimir Putin, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Johnson u detyrua të japë dorëheqje të enjten e kaluar, pasi qeveria e tij u përfshi në një sërë skandalesh të natyrës etike. Rregullat për zgjedhjen e udhëheqësit të Partisë Konservatore në pushtet e që më pas do të bëhet edhe kryeministër, pritet të bëhen publike gjatë ditës së sotme. Kryeministri i ri pritet të marrë postin në vjeshtë, me gjasa në muajin shtator. Deri atëherë, në krye të qeverisë do të vazhdojë të qëndrojë Johnson, i cili para se të shpallte dorëheqjen u zu ngushtë nga braktisjet që i bënë shumë eksponentë të kabinetit qeveritar.

Në Daily Telegraph, kryediplomatja Truss shkruan:

Nën drejtimin tim, unë do të filloja t’i shkurtoja taksat nga dita e parë, për të ndihmuar njerëzit të përballojnë koston e jetesës.

Gjithashtu, është për t’u shënuar fakti se Liz Truss, vazhdimisht ka kryesuar sondazhet e realizuara nga faqja online britanike, Conservative Home. Aktualisht janë edhe të paktën dhjetë pretendentë që synojnë postin e numrit një të qeverisë së Londrës. Në fjalimin e dorëheqjes, Boris Johnson vuri në dukje se është vullneti i Partisë së tij Konservatore, që ai të largohet.

Përpara largimit të kryeministrit, gati 60 deputetë konservatorë të niveleve të ndryshme dhënë dorëheqje të njëpasnjëshme brenda dy ditësh, duke vënë në pikëpyetje funksionimin normal të qeverisë. Ka pasur akuza se Johnson mashtroi publikun në lidhje me sjelljen e papërshtatshme seksuale të një ligjvënësi konservator, veprime për të cilat u tha se ka qenë në dijeni, por i shpërfilli e nuk mori masa.