Celebrities Film & Tv Showbiz Top Albania Radio Special

Mes dhimbjeve dhe sakrificave për të arritur në majë, ana e errët e suksesit të Marilyn Monroe!

Kur Akilit, hero i madh grek në luftën e Trojës, iu kërkua të zgjidhte mes jetës se shkurtër e të lavdishme në gjithë historinë që do të vinte pas, apo jetës së gjatë dhe të harrohej shpejt, ai zgjodhi jetën e heroit të lavdishëm, të famshëm e të paharrueshëm. Në një analogji të botës moderne dukshëm kësaj figure do t’i qëndronte bukur edhe ikona dhe sex simboli i të gjitha kohërave, pavarësisht standartizimit të bukurisë, Marilyn Monroe.

Lindur më 1 Qershor të 1926 Marilyn Monroe ishte aktorja Hollywood-iane e filmave komedi që bëri histori me imazhin e vajzës bionde dhe ‘show girl’ e skenave përgjatë viteve 1950 dhe në fillim të viteve ‘60. Mamaja e saj u përball me sëmundje të vazhdueshme të shëndetit mendor duke e lënë për kohë të shumta tek fqinjët, të cilët u ofruan ta birësonin. Përgjatë viteve të vegjëlisë ajo ndryshoi më shumë se 12 famije, ku shumica prej tyre ishin abuzive, të dhunshme apo dhe mosperjashtimi i faktit të ngacmimeve seksuale.

“Every baby needs a da-da-daddy” këndon ajo në 1948 në “Ladies Of The Chorus”, sigurisht dedikuar vetes si njeri që nuk pati kurrë mundësinë të njihte babain e saj, duke qenë se nëna, Gladys Baker edhe pse mbante një fotografi të një burri, nuk u bë kurrë i ditur nëse ishte apo jo babai i saj. Scott Fortner, historian dhe koleksionues i historisë së Marilyn, deklaron se ajo nuk e takoi dot kurrë babain e saj personalisht edhe pse tentoi disa herë të kontatonte me të.

Ajo u martua në moshën 16-vjeçare me James Dougherty, pas disa muajsh që takoheshin. Teksa punonte në një fabrikë gjatë Luftës së Dytë Botërore, ajo u pikas nga një fotograf i cili i mundësoi një nisje të karrierës në fushën e modelingut. Përgjatë kësaj kohe ajo gjithashtu u bë pjesë e filmave me minirole të cilët do t’i jepnin dhe një kontratë me “Columbia Pictures” e më vonë me “Fox” në 1950, ku për dy vitet e ardhshme ajo u kthye në një aktore shumë të dashur dhe të njohur për publikun me role në “As Young As You Feel”, “Monkey Business”, “Clash By Night”, etj.

Fillimi i skandaleve të saj ishte një lajm që bëri me dije se ajo kishte pranuar të fotografohej nudo për fotografë nudistë përpara se të bëhej një yll televiziv. Por në fakt kjo gjë në vend të shkatërronte karrierën e saj, i dha një vrull shumë herë më të madh. “Gentelmen Prefer Blondies” dhe “How To Marry A Millionaire”, ishin filmat që përcaktuan shumë lidhur me fatin e saj në botën e kinematografisë Hollywood-iane dhe rolin e vajzës së bukur por jo e mprehtë. Jeta e saj personale ka qenë një mishmash zgjedhjesh, ngjarjesh, vëmendje dhe njerëz të cilët në një mënyrë apo tjetër përcaktuan fatin e saj në ato vite të paqëndrueshme jo vetëm nga ana sentimentale por edhe emocionale e mendore.

Unë do të thërrisja çdo grua që shihja, ‘Oh ajo është një mami dhe, ai, ai është një baba’, por jo. Ata ishin thjesht burra dhe gra që fati i përplaste pa mëshirë në sytë e një vogëlusheje që me endje kërkonte më të shtrenjtët e shpirtit njerëzor, por edhe vendin e prehjes së një fëmije, tempullin e lutjeve të tyre më të dëlira, familjen. Kur isha 3 vjeçe, mbaj mend që në njërën nga familjet qe jetoja, po i thoja një gruaje: ‘Oh mami, mami’. Dhe ajo më tha: “Mund të më quash hallë, teze, çfarë të duash, por jo mami. Dhe pasi shoh burrin e saj, them ‘babi, babi’. Dhe ajo m’u drejtua: “Jo, xhaxhi apo çfarëdo, por jo babi. Gruaja me flokë të kuqe që vjen ndonjëherë këtu të të vizitojë, është mamaja jote’. Për babain, nëna ime nuk më foli kurrë, nuk më dha asnjë informacion për të. Mamanë time e mbaj mend shumë pak nga vegjëlia, ajo më linte gjithandej dhe… ishte një situatë e palumtur. Ajo kishte shpesh shpërthime dhe probleme të vazhdueshme mendore të cilat kulmuan me frekuentime dhe shtrime të vazhdueshme në spitale psikiatrike për skizofreni dhe probleme të shëndetit mendor.

Ky nuk do ishte vetëm fati i një gruaje, por do të shenjonte dhe historinë e jetës së një fëmije e me pas një gruaje që me apo pa dëshirë, pasojë e fatit apo e zgjedhjeve, do të kishte një fund jo vetëm të trishtë por tragjik. 11 shtëpi birësuese të ndryshuara, një jetimore, 6 shkolla fillore, abuzime dhe destabilitet, do të ishin fjalët kyçe që përshkruajnë portretin e një vajze që do të portretizonte historinë e së bukurës komike, e revulucionares në thyerjen e tabuve, në ikonën e buzëqeshjes, meshkujve, e të diamanteve.

Suksesi i saj konsiderohet si fati i Hirushes e filmat bazuar në historinë e jetës apo imazhit të saj, vazhdojnë të kenë sukses të garantuar edhe ditët e sotme. I fundit, “Blonde” me aktoren Ana De Armas në rolin e Monroe, film i cili u përball me kritika të shumta duke qenë se me të drejtë përpos përpjekjeve, këpucët e Hirushes i bëjnë vetëm Hirushes. Por për të lënë mënjanë risjelljet e të fokusohemi tek e vetmja origjinale dhe e pakopjueshme, Marilyn Monroe.

Ajo i pëlqente  shumë filmat, duke i parë ata për një kohë të gjatë ndërsa kujdestarët e saj ishin në punë. Edhe pse kinemaja për shumë familje ishte e ndaluar dhe ata nuk e konsideronin aspak të hijshme pjesëmarrjen si vizitore apo dashamirëse e filmit. Ndër vite të tjera, Marylin thotë:

Unë u rrita shumë ndryshe nga fëmija mesatar amerikan, sepse fëmija mesatar rritet dhe shpreson të jetë i lumtur.

Në fillimet e karrierës së saj ajo foli për një nga abuzimet seksuale të ndodhura gjatë kohës që ishte në jetimore dhe tregon që një burrë me emrin Kamel, që ajo zgjodhi për ta quajtur për publikun, e ftoi atë në dhomën e tij dhe mbylli derën. Më pas ai i tha se tani ajo nuk kishte nga arratisej dhe se çfarë ndodhi përtej kësaj, Merylin nuk e dëshmoi kurrë. Kur ishte 11 vjeç, njerku i saj ishte i dehur dhe ajo ishte vetëm në shtëpi duke qenë se Grace ishte në punë.  Ai tentoi ta përdhunonte, por Grace nuk do ta pranonte kurrë, duke fajësuar kështu vetëm vajzën për provokim. Rreth viteve 1938, ajo ra pre e një tjetër marrëdhenieje intime të detyruar me nje kushuri, por dhe për një tjetër herë, ajo nuk kishte askënd dhe askund ku të ankohej.

Vetëm që të më largonin nga shtëpia, shumë prej familjeve që më mbanin më jepnin para xhepi që unë të ikja disa orë në kinema. Unë ulesha gjithë ditën deri natën vonë përpara ekranit  të madh.

Një fëmijë i vogël dhe vetëm, ajo ëndërronte për veten përtej ekranit, teksa do të surprizonte audiencën. Në një intervistë të vitit 1951, ajo tha:

Në shkollën e mesme, unë u godita plotësisht nga filmi. Unë kam parë filma që më pëlqenin tre ose katër here, derisa lodhesha.

Madje pasioni dhe imagjinata e saj për ta, shkonte deri në krijimin e iluzioneve surreale për personazhet që adhuronte. Ajo fantazoi se vetë ‘mbreti’ i Hollywood-it, Clark Gable, ishte babai i saj i zhdukur.  E  duke u rritur me ëndrrat e një figure atërore të munguar, ajo e kërkoi atë gjithë jetën në çdo burrë që takoi. Po ashtu ajo aspironte të ishte njëlloj si ‘bomba bionde’ Jean Harloë kur të rritej, por ndryshe nga ëndrrat e shumë vajzave të vogla për ekranin e madh, ajo do të ishte një ëndërr e prekshme në vetë realitetin që me imagjinatë krijoi. Në një intervistë kur flet për shkollën e saj të mesme, ajo shprehet:

Unë e dashuoj të kënduarit, atletikën, letërsinë në anglisht. Unë e urrej matematikën, kurrë nuk e kam patur mendjen aty, isha gjithmonë jashtë dritares.

Në moshën 16-vjeçare, Monroe u martua me 21-vjeçarin Jim Dougherty vetëm pak muaj pasi dilnin me  njëri-tjetrin, për të shmangur rikthimin në sistemin e jetimores. Ai ishte fqinji i saj dhe punonte si polic.

Unë isha goxha e tërhequr pas tij, ai ishte shumë i pashëm dhe një nga djemtë që unë nuk kisha patur një raport seksual…

…shkruan Marilyn në ditarin e saj. Ajo vuante nga komplekset  e inferioritetit për shkak të moshës dhe eskperiencës së saj, por mbi të gjitha po trajnohej për të qenë një grua shtëpiake, gjë e cila nuk e bënte aspak të lumtur. Sa më shumë zgjaste martesa, aq më shumë karriera e saj e ëndrrave i largohej.

Në vitin 1944, ndërsa Lufta e Dytë Botërore shpërtheu, Dougherty u regjistrua në Marinën Tregtare, ndërsa gruaja e tij shkoi të punonte në një fabrikë municionesh. Norma, Marilyn Monroe e ardhshme, punoi në disa pozicione në atë fabrikë duke vazhduar kështu një karrierë aspak frytdhënëse. Derisa  një ditë, një fotograf i ushtrisë erdhi pranë fabrikës për të bërë disa fotografi për revistën ushtarake “YANK” dhe, u mahnit nga bukuria e 18-vjeçares. Ai e përcaktoi si një ‘main character‘ absolut Norma-n, duke i realizuar dhe materiale filmike. “Ti je një nxitës i vërtetë moral,” kujtoi Monroe duke i thënë.

Unë do të bëj fotografinë tuaj për djemtë në ushtri për të mbajtur moralin e tyre të lartë.

Ai u rikthye në fabrikë për t’i bërë një ofertë modelingu duke besuar në potencialin e saj dhe Norma, apo Merilyn, pranoi. Tani ajo ndihej e mahnitur nga realiteti që po merrte një të tillë kthese. Ajo filloi të dilte në disa gazeta e ndërkohë ato e cilësonin si Hirushe. Por, edhe pse mund të duket një kthesë e madhe, nuk ka qenë gjithmonë kështu. Hapat e saj të karrierës po ndërmerreshin një nga një. Ajo ishte ndër nxënëset më të dobëta në grupin e modeleve, por me ambicien dhe dëshiren më të madhe nga të gjitha për të mësuar dhe për t’u bërë më e mira. Marilyn u bë pjesë e “Blue Book Agency” në Los Angeles. Emmeline Snively deklaron:

Ajo ishte e etur për sukses sa që ajo pranonte çdo gjë që ne i jepnim për të arritur suksesin.

Martesa e saj u shpërbë pasi ajo ndoqi një karrierë në modeling, por ajo ishte e vendosur të bënte emër për veten. Ajo mësoi si të magjepste të tjerët. Agjentja e modelimit Emmeline Snively rrëfen:

Ajo i bëri të gjithë me të cilët fliste të ndiheshin sikur ata ishin të vetmit në botë.

Brenda 1 viti fotografitë e Norma-s u shfaqën në më shumë se 30 revista. Eve Arnold, një fotografe me të cilën ajo do të bashkëpunonte shumë më vonë, shprehet se gjatë fotosesioneve ajo ishte një manipulatore e shkëlqyer.

Nuk kisha parë kurrë askënd me një kimi të tillë me kamerën dhe mënyrën si ajo reagonte kur ishte përballë saj.

Për të arritur ngjyrën definuese bionde ikonike të karakterit të saj, si fillim ajo provoi mbi 12 variante të ngjyrave gold dhe më të çelura. Për të përfunduar kështu në look-un e saj i cili do të ngjallte një interes të jashtëzakonshëm. Personazhi i ekranit të Monroe-s u përqendrua në flokët e saj bjonde dhe stereotipet që lidheshin me to, veçanërisht, naiviteti, disponueshmëria seksuale dhe artificialiteti. Në filmat e saj, ajo përdorte shpesh një zë fëminor e të fryrë dhe në intervista të jepte përshtypjen se gjithçka që thoshte ishte “krejtësisht e pafajshme dhe e pallogaritur”, duke parodizuar veten me fjalë të dyfishta që u bënë të njohura si “Monroizmi”.

Dukshëm modelingu nuk ishte gjithçka ajo kishte ëndërruar. Agjensia i dha mundësinë që të provonte veten me një skenar dhe një kontratë filmike me “Fox”, ku do të paguhej 75 dollarë në javë pavarësisht nëse realizonte role. Norma Jean ishte një emër, por nuk ishte një goditje për publikun si një yll kinematografik. Kështu që ata vendosin t’ja ndryshonin. Ajo mori mbiemrin e saj Monroe nga gjyshja dhe emrin e nje tjetër aktoreje, por që me sa duket do të ishte gjetja e përkryer e një emri që do të magjepste jo vetëm botën e ekranit por çdo gjë përtej tij. Ndryshimi i emrit të saj në Marilyn Monroe, fillimisht si emër ekrani, më pas si emri i saj ligjor në 1956, ishte vetëm një pjesë e transformimit të madh.

Norma, e cila dikur po përpiqej të krijonte imazhin e një gruaje shtëpiake të devotshme, tashmë nuk mund të kthehej më atje ku dukshëm nuk përkiste. Kështu që në 1947 ajo i dha fund martesës. Suksesi profesional i yllit është edhe më mbresëlënës në dritën e betejave të saj personale. Puna me Monroe ishte jashtëzakonisht e vështirë, pasi ajo vonohej vazhdimisht në xhirime dhe shpeshherë i ngaterronte fjalet e saj. Vogel thotë:

Në realitet, ajo kishte frikë të madhe në skenë, duke u skuqur ose duke u sëmurur fizikisht në mendimin për të performuar.

E kujt do ja priste mendja se vajza e dashuruar me kamerën do të ishte po ajo që do të sëmurej prej saj. Ajo kishte një shtysë për të përmirësuar veten duke lexuar libra mbi psikologjinë, filozofinë, poezinë, artin, dramën. E nderkohë dita e saj i dedikohej 3 orë aktrimit, një orë drekës, një orë mësime kercimi, një orë muzikë dhe një orë mësime hipizmi.

Ben Lyon e ritelefonon atë për një tjetër projekt duke e pyetur se pse stërvitej aq shumë kur ndërkohë vajzat e tjera ende në orën 11 të mengjesit ishin në gjumë prej festës së mbrëmshme. E ndërkohë ajo u pergjigj:

Z. Lyon, unë punoj fort sepse një ditë mundësia e artë do të trokasë në derën time dhe unë dua të jem gati.

Por mundësia jo vetem që nuk erdhi, por në 1947 kontrata e saj me kompaninë e filmit përfundoi. Në këto kushte Monroe u rikthye në botën e modelingut, por e dëshperuar dhe me shpirtin në botën filmike.

O Zot, unë thjesht doja të bëhesha më e mirë, të ndryshoja, të mësoja. Nuk kisha asnjë dëshirë tjetër, nuk kisha nevojë as për burra, para apo dashuri. Thjesht mundësinë për të luajtur filma.

Ajo do të ishte e gatshme të flinte me këdo që mund t’i jepte një shans në botën kinematografike. Dhe kështu bëri.

Po, kam fjetur me çdo producent sepse nëse nuk e bëja, një tjetër vajzë e bukur po priste jashtë derës për të zënë vendin tim.

Më vonë ajo do të realizonte një rrëfim për ngacmimet seksuale nga shefat e Hollywood-it, deklaratë pas së cilës erdhën dhe shumë vajza të tjera me rrëfimet e tyre për të njëjtat përjetime. Joseph Shank ishte miliarderi 70-vjeçar, i cili përpos vetes, ia prezantoi Merilyn të gjthë miqve të tij që shkuan me të. Më në fund, pas shumë refuzimesh, ajo arriti të nënshkruante një kontratë 6-mujore me “Colombia Records”.

Natasha Letes ishte mësuesja e saj e aktrimit e cila do të ndikonte shumë në karrierën e saj por të ishte edhe nëna që i kishte munguar aq shumë. Ato punuan së bashku për 6 vite në 22 filma, por problemet e Marilyn për të mesuar ishin të theksuara. Megjithatë dëshira e saj për t’u përmirësuar ishte shumë e fortë. Ajo u bë mjeshtre e gjuhës së trupit.

“Ladies of the Kors” ishte një nga filmat me buxhet të ulet ku Marylin ishte personazhi kryesor, por edhe njëherë pa sukses. Në 1949 tashmë e papunë, Monroe vazhdonte përpjekjet për t’u integruar në botën e filmit duke njohur personalitete të fushës. I tille ishte Johnny High, zv. presidenti i një agjensie filmike i cili u përkushtua ta bënte atë një yll. Johnny e ndihmoi në kryrjen e shumë operacioneve plastike dhe si të merte pjesë në dy filma, “The asphalt jungle” dhe “All about Eve”.

Këto filma rezultuan një sukses i madh duke u nominuar për Oscar. Edhe pse ajo nuk ishte në rolin kryesor, më në fund audienca filloi ta njohë. Në vitin 1951 ajo nënshkroi një kontratë 7-vjeçare me “20th Century Fox” dhe do të merrte 50 dollarë në javë. Ajo mori pjesë në: “Home Town Story”, “As Young As U Feel”, “Let’s Make It Legal”.

Kur gjithçka dukej se po shkonte mrekullisht, fotot e saj nudo u shpërndanë duke shkaktuar një skandal. Shefat e saj e këshilluan ta mohojë këtë fakt duke menduar se mund t’i shkatërrohej karriera. Por Monroe veproi sipas mënyrës së saj duke e pranuar e duke i dhënë kurajo të gjitha vajzave të braktisura të cilat detyroheshin të bënin gjithçka për të mbijetuar.

Menjëhere pas këtyre ndodhive, në treg doli revista e parë e “Playboy” ku në kopertinë ishte një nga fotot nudo të Monroe. Krijuesi i revistës, Hugh Hefner, kishte blerë fotot e saj për 500 dollarë nga ku Marylin nuk mori kurrë asnjë qindarkë apo falenderim. Ndërkohë marrëdhënia e saj me John, i cili e bëri të famshme, dukej se po shkonte drej fundit. Për ta përforcuar, John i propozoi për martesë, por ajo për surprizë, refuzoi. Në këtë kohë vetmi, një tjetër refuzim e goditi, kësaj here nga babai që kishte kërkuar për 20 vite. Kur më në fund arriti ta kontaktonte, ai i tha se mund t’i drejtohej avokatit të tij.

Në 1952 Monroe u fokusua sërish në kinematografi duke luajur në 5 filma: “Monkey Business”, “Don’t Bother To Knock”, “Oh Henry’s Full House”, “We’re Not Married”, “Clash By Night”. Pasi u shfaq si një ‘femme fatale’ tragjike në “Niagara” (1953), ajo mori rolin kryesor në një seri filmash që krijuan personalitetin e saj “dumb blonde”: klasikë si “How To Marry A Millionaire” (1953) dhe “Some Like It Hot” (1959).

Ajo dëshpërimisht kërkonte të luante role në filma dramtik, por pavarësisht kësaj shihej në mënyrë sipërfaqësore dhe seksuale. Kjo reflektohej në pagën e saj prej 500 dollarë në javë, ndërkohë që kolegia e saj në film, Jane Rusell e cila luante rolin e brunes në filmin “Gentelmen Prefer Blondes”, u pagua 200.000 dollarë. Monroe qëndronte me orë të zgjatura në xhirime duke detyruar çdokënd të qëndronte.

Kompania me të cilën kishte nënshkruar nuk pranonte rinegocim të kontratës dhe e konsideronte zërin e Marilyn tepër idiot. Ndërkohë në setin e “How To Marry A Millionaire” ajo bëhej shumë vonë pasi harxhonte 2 orë kohë për të lyer buzët dhe 1 orë e gjysmë për flokët e saj. Ajo nuk ndihej kurrë gati për filmime.

Unë doja të bëja më të mirën, më të mirën e gjjithçkaje që mund të arrija.

Në 1954 ajo u martua me yllin e bejzbollit Joe Dimaggio, por ky i fundit rezultoi një burrë konservator, xheloz që synonte ta shndërronte Monroe në një shtëpiake. Kur u pyet se përse u martua me të kur ai nuk ishte tipi i saj dhe nuk kuptonte ambicien që ajo kishte, Monroe u përgjigj:

Ai ishte i shkëlqyeshëm në shtrat.

Një nga skenat më të famshme kinematografike dhe jo vetëm, në botë, realizuar në filmin “The Seven Year Itch”, ku Marilyn i ngrihet fustani i bardhë, mori 3 orë për t’u xhiruar. Në xhirime morën pjesë 100 fotografë meshkuj, skuadra e xhirimit dhe rreth 2000 kalimtarë të rastit. Në realizimin e skenës u gjend edhe bashkëshorti i saj i cili u shokua nga ajo që pa. Një turmë me burra të entuziasmuar që thërrisnin:

Më shumë, më shumë.

Më vonë në atë natë, personat që qëndruan në të njëjtin hotel me çiftin dëshmuan për ulërima dhe dhunë. Të nesërmen në xhirime Marilyn u shfaq me shenja të cilat u mbuluan me ‘make up’. Ajo kërkoi divorcin për dhunë emocionale. Monroe ishte e lodhur nga pagesat e padrejta dhe pamundësia për të zgjedhur role.

Një aktore nuk është makineri, por atë e trajtonin si të tillë. Monroe la Hollywood për Neë York, ku krijoi kompaninë e saj. Atje ajo u përfshi në disa angazhime por edhe një tjetër herë vëmendjen e morën disa fotografi të saj duke lexuar libra që koleksiononte. Fotot u cilësuan një përpjekje e dështuar për t’u dukur e zgjuar. Në 1955 firmosi një kontratë 6-vjeçare me “FOX” ku do paguhej 400.000 dollarë për 4 filma. Ajo mund të zgjidhte filmat, rolet dhe regjisorët me të cilët do të bashkëpunonte.

Monroe luajti në një film dramatik që i dha dhe nominimin për një Golden Globes, titulluar “The Bus Stop”. Gjithashtu edhe jeta e saj personale pësoi ndryshime. Gjatë divorcit me Joe Dimaggio ajo filloi nkë marrëdhënie me Arthur Miller. Ai ishte një intelektual dhe çdo gjë që ajo nuk kishte patur tek asnjë burrë me parë. Mund t’i fliste për librat e saj të preferuar dhe çdo gjë tjetër dhe e donte me të vërtetë aq shumë sa mund t’i besonte dhe më tepër se vetes. Ai i jepte siguri që aq shumë i kishte munguar.

Edhe pse ai e përdori emrin e Monroe për qellimet e veta, ata ia dolën të martoheshin në 1956 në një ceremoni që zgjati dy pjesë. Pas disa filmave të tjerë jo shumë të suksesshëm, emri dhe dashuria e saj krah Miller filluan të zbeheshin dhe ajo po lëndohej gjithnjë e më shumë. Shpesh herë ai pranonte se ishte i turpëruar para shoqerisë për të, kështu që raporti vazhdoi të dobësohej. Marilyn ishte çdo ditë e më e vetmuar dhe kjo përfshinte shumë ilaçe gjumi dhe alkool.

Edhe në një tjetër film shumë të suksesshëm në 1958 “Some Like It Hot”, Marylin kishte një tjetër rol por edhe një tjetër herë kaq zhgënjyese, ajo luante rolin e një biondeje jo të zgjuar e vetëm të bukur. Te qenurit sex symbol ishte bërë e padurueshme tani, por gjithashtu ilaçet e bënin të vonohej shumë dhe mos të mbante mend asgjë. Ajo qante dhe duhej të ndryshonte make-up dhe më pas mërzitej sërish. Ajo mori të vetmin Golden Globe në karrierën e saj.

Ndërkohe periudha e ngarkuar e stresit dhe ilaçeve e çoi në një tjetër shtatzëni të dështuar, pasi deri më tani kishte kaluar disa të tilla. Kështu që ajo mori një vit pushim nga karriera. Në 1961 ata u divorcuan. Monroe zgjodhi atë ditë sepse ishte dhe dita e inagurimit të Presidentit Keneddy dhe ajo shpresonte të merrte vëmendje. Pas divorcit Marilyn vazhdoi terapinë me Ralph Greenson, të cilin e konsideronte si baba dhe e thërriste Jezus. Ata kishin një marrëdhënie shoqërore të ngushtë e cila tejkalonte kufijtë e paciente-psikoterapist.

Kur filloi të kishte mendime vetëvrsëse, një tjetër terapist i saj i rekomandoi të shkonte në një spital për kurim. Në horror ajo kuptoi se nuk bëhej fjalë për një qendër rehabilitimi, por një spital të mirëfilltë psikiatrik me hekura, qeli dhe pacientë të dhunshëm. Çdo gjë ishte e kyçur dhe e supervizuar.

Duhej të isha e çmendur që ta pëlqeja atë vend.

Në përpjekje për të dalë nga ai ferr, Monroe kërcënoi se do të vriste veten. Kështu e transfruan në një vend më të përshtatshëm për të. Ajo filloi të shkruante letra për të kërkuar ndihmë dhe ai që u shfaq ishte ish-bashkëshorti i saj Joe. Monroe u përpoq të kthente jetën e saj. Në maj 1962 Monroe kërkoi t’i jepej mundësia të këndonte një këngë në formë urimi për ditëlindjen e Presidentit Kennedy. Ajo veshi fustanin ikonik me 2000 kristale ‘handmade’.

Gazetarët e përshkruan ‘ajo po bënte dashuri me presidentin’ para 40 milionë amerikanëve. Ndonëse nuk u konfirmua kurrë, lidhja e supozuar e Marilyn Monroe me Presidentin John F. Kennedy është një nga çështjet më të përfolura në histori. Monroe dhe JFK u prezantuan për herë të parë në 1954 nga Peter Laëford, kunati i JFK. Sipas biografit James Spada, “kur Kennedy u lodh prej saj, ai ia kaloi atë vëllait të tij” në vitin 1962.

Në javët para vdekjes së saj, u raportua se ajo po kërcënonte të mbante një konferencë shtypi për të ekspozuar marrëdhënien e saj me Presidentin Kennedy dhe vëllain e tij, Prokurorin e Përgjithshëm të SHBA-së, Robert F. Kennedy. Një dokumentar i Netflix i publikuar në fillim të këtij viti, “Misteri i Marilyn Monroe: Kaseta të Padëgjuara”, ndau njohuri të reja mbi vdekjen e saj, duke përfshirë dhe shtatzëninë e saj nga një prej vëllezërve Kennedy. Disa ditë para se të vdiste, ajo thirri një mik të ngushtë për t’i treguar planin e saj për t’u martuar me Bobby Kennedy.

Monroe u përpoq së paku në dukje të rikthente karrierën e saj, megjithëse në 4  gusht 1962 u gjet e vdekur në dhomën e saj. Versioni zyrtar i vdekjes ishte ai i mundësisë së vetëvrasjes nga mbidoza e ilaçeve që përdorte vazhdimisht për shëndetin mendor, por teoritë mbi vdekjen e saj do të qëndrojnë të gjalla deri në fund të historisë. Janë me qindra versione të cilët përpos 1001 mundësive, një probabilitet të madh fajësimi ia adresojnë vëllezërve Kennedy. Intervista e fundit e Marilyn Monroe është zemërthyese. Botuar në revistën “Life” më 3 gusht 1962, vetëm një ditë para se aktorja të vdiste nga mbidoza në moshën 36-vjeçare, zbuloi se Monroe po reflektonte mbi statusin e saj të famshëm.

Kur je i famshëm, ndeshesh me natyrën njerëzore në një mënyrë të papërpunuar. Ajo ngjall zili, fama. Njerëzit me të cilët hasem mendojnë kush është ajo – kush është ajo, kush mendon se është, Marilyn Monroe?

E fundja kush ishte Marilyn Monroe… Vajza koketë, mikja e ngushtë e diamanteve dhe padyshim e President Kenedy, pati një jetë ku tabutë e thyera ishin motivi i karrierës dhe i jetës, motiv që mbase përgjatë kohës së jetuar nuk i dhanë vëmendjen e duhur për çmime e vlerësime filmash, por i dhanë emrin e një personazhi që edhe pas 60 vitesh nga vdekja e saj më 4 gusht 1962, ajo mbetet një ikonë, një simbol i së bukurës dhe feminilitetit, i kontadiktores, konspiracionit e sekreteve. Ajo është thjesht Marilyn Monroe.

Historiani i artit Gail Levin deklaroi se Monroe mund të ketë qenë “personi më i fotografuar i shekullit të 20-të”, dhe Instituti Amerikan i Filmit e ka emëruar atë legjendën e gjashtë më të madhe femër të ekranit në historinë e filmit amerikan. Institucioni Smithsonian e ka përfshirë atë në listën e tyre të “100 amerikanëve më të rëndësishëm të të gjitha kohërave” dhe si Variety ashtu edhe VH1 e kanë vendosur atë në dhjetëshen e parë në renditjen e tyre të ikonave më të mëdha të kulturës popullore të shekullit të njëzetë.