Bota

Në luftë me armë të shekullit të kaluar/Raporti britanik diskretiton Rusinë!

“Mijëra rusë të sapomobilizuar për të luftuar në Ukrainë, nuk janë pajisur si duhet me armatime. Disa armë, vështirë se mund të përdoren”. Në këtë përfundim dalin analistë të Inteligjencës britanike, që besojnë se ushtarët mund të jenë duke përdorur armë të vitit 1950, të prodhuara mbi 70 vjet më parë.

Në përditësimin e fundit në Twitter, Ministria e Mbrojtjes në Londër, deklaron se “në shtator, zyrtarët rusë ishin të shqetësuar se disa rezervistë të sapomobilizuar shkuan në Ukrainë pa armë”.

Integrimi i rezervistëve me kontrata të ushtarëve dhe veteranëve në luftën në Ukrainë, nënkupton se logjistika ruse duhet të shtojë dy lloje armësh në pozicionet luftarake e jo vetëm një. Kjo pritet të ndërlikojë edhe më shumë sistemet e tendosura logjistike të Rusisë.

Po ashtu, nuk ndalen sulmet ruse në Kiev e të tjera rajone ukrainase. Disa ndërtesa u bombarduan. Në qytetin jugor, Marhanets, raketat e trupave të Moskës goditën objekte banimi e një shkollë të mesme. Ndërkohë, mbrojtja ajrore ukrainase është aktive në kryeqytetin Kiev ku disa zona janë pa energji elektrike.

350 mijë shtëpi po përballen me mungesën e saj e rreth 80% e banorëve të Kievit nuk po furnizohen me ujë, në një situatë që sa vjen e rëndohet.

Në një tjetër zhvillim, sot 12 anije me grurë u nisën nga Ukraina, duke sfiduar tërheqjen ruse nga marrëveshja për eksportet, e arritur korrikun e kaluar me ndërmjetësimin e Kombeve të Bashkuara e të Turqisë. Po falë tyre, u bë i mundur lundrimi. Për të plotësuar nevojat në tregjet globale ku çmimet po “fluturojnë”, delegacionet e OKB-së e të Ankarasë vunë në dispozicion dhjetë skuadra inspektorësh për të kontrolluar 40 anije në Detin e Zi.

Ky plan inspektimi mori miratimin e palës ukrainase. Edhe Moska zyrtare u informua për nismën. Ndërkaq, sa i përket sulmeve, sot në ditën e 250-të të luftës ruse, gjithashtu, dy raketa shënjestruan “objekte të infrastrukturës kritike” në Kharkiv, i dyti qytet më i madh i Ukrainës.