Food & Drink Health & Beauty

Për ju që konsumoni çaj të nxehtë kur keni dhimbje të fytit, nuk duhet ta bëni më!

Nxehtësia e ushqimeve dhe lëngjeve irriton mukozën dhe në këtë mënyrë thyen barrierën fiziologjike që na mbron nga mikroorganizmat. Sipas ekspertëve, si çaji, ashtu edhe lëngjet e tjera duhet të pihen kur janë të vakët sepse nxehtësia irriton mukozën dhe kur ajo dëmtohet, mikroorganizmat arrijnë në trupin tonë më lehtë.

Ndonëse një pije e nxehtë bimore ka një efekt të dobishëm në organizëm dhe duket se është e këndshme për fytin kur kemi të ftohur, mjekët janë të mendimit se nuk duhet ta konsumojmë këtë, si dhe lëngjet e tjera, ndërkohë që temperatura e tyre është dukshëm më e lartë se temperatura e trupit tonë.

Membrana e mukozës na mbron nga infeksionet. Kur indi i mukozës është i padëmtuar, bakteret dhe viruset e kanë më të vështirë ta thyejnë këtë “barrierë”. Nëse membrana mukoze inflamohet, çdo mikroorganizëm kalon më lehtë në hapësirën ndërqelizore. Më pas lidhet me receptorët e qelizave tona, depërton në qelizë, e riprodhon dhe e shkatërron atë. Kështu e infekton indin. Mjekët këshillojnë që gjithçka që hamë duhet të jetë me nxehtësi mesatare.

Nxehtësia mund të shtojë edhe dhimbjen në fyt. Ashtu si kur vendosni diçka të nxehtë në lëkurë, efekti është i njëjtë. Epiteli i mukozës, indi sipërfaqësor i saj është i dëmtuar dhe mikroorganizmat depërtojnë më lehtë në të. Konsumimi i shpeshtë i pijeve të nxehta mund të sjellë pasoja më të rënda. Shkatërrimi i mukozës së ezofagut mund të çojë në lezione prekanceroze, të cilat mund të çojnë më tej në kancer të ezofagut.

Ndërkaq, nxehtësia në stomak zgjeron enët e gjakut, kështu që është e mundur një gjakderdhje e vogël, e cila e bën trupin më të ndjeshëm ndaj infeksioneve. Të gjitha lëngjet, përfshirë ushqimin, duhet të arrijnë temperaturën e dhomës para se t’i fusim në trupin tonë. E njëjta gjë vlen edhe për pijet e ftohta; mund t’i marrim, por jo direkt nga frigoriferi.