Bota

Talebanët paralajmërojnë Amerikën: “Nëse e zgjasni afatin e evakuuimit do të ketë pasoja!”

Afati për tërheqjen e trupave nga Afganistani është vetëm pak ditë larg dhe evakuuimi i dëshpëruar i njerëzve po përballet me zvarritje të mëdha. Talebanët u takuan me gazetarë të “Sky News” në Doha, para të cilëve lëshuan një paralajmërim për forcat e SHBA-së. Zëdhënësi i grupit militant, Suhail Shaheen tha se:

Është një vijë e kuqe, Presidenti Biden pati thënë se në 31 Gusht do të tërhiqnin të gjitha forcat e tyre ushtarake dhe nëse e zgjasin këtë afat, do të thotë se po zgjasin pushtimin. Dhe po ndodhi kjo, do të ketë reagim. Nëse SHBA-ja apo Britania e Madhe kërkojnë kohë shtesë për evakuimet, përgjigja është ‘jo’. Në të kundërt, do të ketë pasoja.

Komentet e tij erdhën në kohën kur kryeministri britanik Boris Johnson pritet të përcjellë personalisht një apel me Joe Biden për zgjatjen e afatit të largimit të trupave nga Afganistani, me qëllim që një numër më i madh njerëzish të arrijnë t’i largohen sundimit të terrorit taleban. Skenat e dëshpëruara vazhdojnë në aeroportin e Kabulit, ku njerëzit janë të përgatitur për çdo gjë, e madje të rrezikojnë edhe jetët e tyre vetëm që të largohen. Propaganda talebane nuk e pranon këtë.

Pavarësisht pamjeve tragjike të njerëzve që u kapën në rrotat e avionit e disa ranë nga lartësia, Shaheen, tha se e gjithë kjo është thjesht emigracion ekonomik. Zëdhënësi taleban u shpreh se:

Mund t’ju siguroj se nuk bëhet fjalë për shqetësime apo për frikë. Ata thjesht duan të shkojnë në vendet perëndimore sepse këtu në Afganistan, ka varfëri të madhe.

Rikujtojmë se, djali i Ahmad Shah Masood, i cili ishte një nga udhëheqësit kryesorë të rezistencës ndaj sovjetikëve në Afganistan në vitet 1980, tha se “nuk do t’ia dorëzonte zonat nën kontrollin e tij, talebanëve”, raportoi të dielën televizioni “Al Arabiya”. Ahmad Masood bëri thirrje për krijimin e një qeverie të unitetit kombëtar për të qeverisur vendin me pjesëmarrjen e talebanëve, duke paralajmëruar se “lufta do të ishte e pashmangshme nëse talebanët refuzonin dialogun.