Botë e Çuditshme

Zbulohet peshku kërmill, jeton 10 mijë metra nën oqean!

Ky peshk me fytyrë kaq të adhurueshme dhe me sy të mëdhenj është specia më e re që shkencëtarët kanë zbuluar. Shkencëtarët në Institutin e Kërkimeve të Akuariumit të Gjirit Monterey e zbuluan peshkun pranë brigjeve të Kalifornisë që në vitin 2019, por pamjet u publikuan vetëm tani. Peshku kërmill jeton në thellësi të oqeanit dhe ka një ngjyrë rozë të veçantë, sy të mëdhenj, një trup si larvë të mbuluar me gunga, kokë të madhe dhe bisht të hollë e të ngushtë; tiparet tipike të një peshku kërmill.

Pasi e studiuan, shkencëtarët konfirmuan se peshku është një specie e re, e pazbuluar më parë dhe e quajtën “peshku kërmill me gunga”. Më parë janë zbuluar edhe dy të tjerë, peshku kërmill i errët dhe peshku kërmill i lëmuar. Peshqit kërmij janë ndër banorët më të thellë të oqeanit, të aftë të përballojnë kushte që do të ishin fatale shumicën e krijesave të gjalla. Deti i thellë është habitati më i madh i planetit, i mbushur me forma jete që mbeten kryesisht të panjohura. Me ndryshimet klimatike dhe shpimet e naftës që kërcënojnë këto ekosisteme, dokumentimi i specieve që jetojnë atje është më urgjent se kurrë.

Ndërkaq, një peshkaqen gjigant u kap gjatë një udhëtimi peshkimi në Kosta Rika, i cili po cilësohet si kapja e parë e këtij lloji. Peshkaqeni dy metra e gjysmë i gjatë shfaqi ksantizëm, një gjendje e rrallë pigmentimi që shkakton një tepricë të toneve të verdha ose të arta në lëkurë. Ndërsa ksantizmi është vërejtur në disa lloje peshqish, ai nuk është dokumentuar kurrë më parë në peshqit kërcorë, një grup që përfshin peshkaqenë në Karaibe. Përveç ksantizmit, peshkaqeni tregoi edhe albinizëm.