Zhvarroset trupi i 12-vjeçarit Leo Sadiku, i cili humbi jetën më 8 janar të këtij viti në kryeqytet. Ekspertë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, shoqëruar nga prokurorë të Prokurorisë të Tiranës, e cila po heton rastin, në prezencë edhe të familjarëve të të miturit, zhvarrosën trupin që do t’i nënshtrohet autopsisë.
Ekspertët pritet të marrin mostra nga trupi i 12-vjeçarit, të cilat më pas do të dërgohen për ekspertim në Institutin e Mjekësisë Ligjore për të zbuluar shkakun e vdekjes. Mjekët e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” konkluduan se Leo Sadiku ka ndërruar jetë si pasojë e miokardit akut, por familjarët e viktimës kanë ngritur pretendime, duke akuzuar mjekët e QSUT-së për neglizhencë në mjekim.
Fillimisht, pas vdekjes së tij, familjarët refuzuan kryerjen e autopsisë, por më pas, me nisjen e hetimeve nga Prokuroria e Tiranës, e cila është kompetente për rastin, organi procedues vendosi kryerjen e autopsisë. Reagimet e familjarëve kanë qenë të vazhdueshme, duke protestuar e kërkuar që hetimi të bëhet i plotë dhe të përcaktohet shkaku i vdekjes së 12-vjeçarit nga fshati Pocestë i Maliqit.