Fëmijët sot festojnë ditën e tyre Ndërkombëtare ndërsa të rriturit iu bashkohen, me ndërgjegjësimin për ta bërë botën një vend më të mirë për të jetuar. 1 Qershori njihet për sensibilizimin për t’i thënë jo dhunës, bullizmit dhe abuzimeve të tjera ndaj të miturve.
Dita e Fëmijëve shënohet më 1 qershor edhe se në këtë datë është mbajtur Konferenca Botërore e Mirëqenies së Fëmijëve në Gjenevë, në vitin 1925. Në të njëjtën ditë, rastisi që konsulli i përgjithshëm kinez në San Francisko të Shteteve të Bashkuara të Amerikës mblodhi së bashku një numër të konsiderueshëm fëmijësh jetimë kinezë që të festonin në festivalin e “Anijes së Dragoit”.
Dy vjet më pas, 1 qershori filloi të festohet në botë. Kryeministri Edi Rama uroi të gjithë fëmijët përmes një mesazhi në rrjetet sociale së bashku me foton me dy fëmijë.
Mirëmëngjes dhe gëzuar ditën e fëmijëve!

Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve kremtohet në fillim të qershorit, kryesisht në vendet e ish-bllokut komunist, ndërsa shumë vende të tjera të botës e shënojnë më 20 nëntor, një datë që përkon me Deklaratën e të Drejtave të Fëmijëve nga Asambleja e Kombeve të Bashkuara. Në disa shtete nuk ka një ditë feste, por plot një javë festime, duke e quajtur Java e Fëmijëve.