E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë sociologia Eva Sinanaj. Ajo ka folur më shumë për festën e fëmijëve 1 Qershorin dhe si është prindërimi sot…
Pse po humb fëmijëria e shëndetshme sot?
Po humb fëmijëria e shëndetshme. Fëmijët sot kanë më shumë informacion, ndonjëherë e përdorin teknologjinë edhe më mirë se prindërit e tyre. Por nuk kanë filtra dhe nuk kanë një edukim digjital për të gjithë të mirat dhe jo të mirat që sjell përdorimi i teknologjisë nga ana e tyre. Nga ana tjetër, unë do thoja që dhe prindërit nuk kanë filtra komunikimi. Ata bisedojnë me njëri-tjetrin dhe diskutojnë me njëri-tjetrin çdo gjë, edhe gjëra që fëmija nuk duhet t’i dëgjojë apo nuk duhet të jetë i pranishëm. Këto janë disa gjëra të aspektit të komunikimit prind-fëmijë dhe si po prindërojmë. Ndonjëherë më duket sikur prindërit janë dhe të gëzuar që fëmija i tyre ka këtë imazh ose ka këtë qasje, ose ka devijanca të vogla, të cilat shpeshherë është për t’u habitur që edhe duartrokiten nga prindërit.