Greqia është përfshirë nga një grevë e përgjithshme e protesta, në nderim të 57 viktimave që 2 vjet më parë humbën jetën nga përplasja e dy trenave në Tempi. Mes atyre që humbën jetën kishte edhe shqiptarë. Punonjës të sektorëve publik dhe privat kanë lënë punën duke organizuar tubime në të gjitha qytetet e vendit fqinj. Sipas mediave greke, për sot u paralajmëruan 244 tubime të sindikatave.
Të shumtë janë ata që ende kërkojnë gjetjen dhe dënimin e përgjegjësve që shkaktuan aksidentin tragjik ku krahas viktimave pati edhe shumë të plagosur.
Greva ka përfshirë edhe një pjesë të doganave greke. Në pikat e kalimit kufitar me Shqipërinë, në Kakavijë, Qafë Botë dhe te Tre Urat është pezulluar puna nga ora 07:00 e mëngjesit, për të vijuar deri më 23.00 me orën lokale apo 22:00 me tonën. Sipas njoftimit, në këto pika kufitare, qarkullimi lejohet për autoambulancat dhe mjetet funerale. Në Kakavijë, lëvizja e këmbësorëve nuk është ndaluar.
Më herët, një raport i shumëpritur hetimor në Greqi fajësoi gabimin njerëzor, infrastrukturën e vjetëruar dhe dështimet e mëdha sistematike për aksidentin tragjik në Tempi. Dokumenti me 180 faqe u publikua në prag të një greve të përgjithshme dhe protestave masive të planifikuara për përvjetorin e dytë të tragjedisë hekurudhore të 28 shkurtit 2023.