Aktualitet

21 Janari, Berisha: Kërkova hetim ndërkombëtar të ngjarjes!

Në një reagim për 14 vjetorin e ngjarjeve të 21 Janarit 2011 me 4 protestues të vrarë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, Sali Berisha, i cili ishte kryeministër në atë kohë, tha sot se ka kërkuar një hetim ndërkombëtar për zbardhjen e ngjarjes. Kryetari demokrat deklaroi se shprehu keqardhje menjëherë pas ngjarjes. Sipas tij, Ina Rama refuzoi prokurorin ndërkombëtar.

Së pari, keqardhjen time e kam shprehur për viktimat jo pas 14 viteve, siç pretendoni ju, apo ata që mendojnë si ju, por e kam shprehur fiks në ora 7 të darkës të asaj nate. Pra me datën 21 janar të vitit 2011 dhe në mënyrë të përsëritur.

Së dyti, po atë natë dhe të nesërmen, të pasnesërmen, kam kërkuar një hetim ndërkombëtar. Kam kërkuar jo hetim, por hetim ndërkombëtar të çështjes. Institucionet më serioze ndërkombëtare janë shprehur se ajo protestë e dhunshme kishte axhendë politike.

Së treti, edhe njëherë ka një deklaratë të qeverisë së SHBA, në të cilën kërkohet hetimi që nga polici tek organizatori që publikisht dhe botërisht është Edi Rama.

Së katërti, ata që nuk duan të mashtrojnë veten dhe nuk duhet t’i përdorin fatkeqësitë e të tjerëve për ushqim politik, duhet ta dinë se në këto 14 vite, prokuroria ka qenë tërësisht nën kontrollin e Edi Ramës. Ishte Ina Rama prokurore, që unë e akuzova për puçiste, që refuzoi prokurorin ndërkombëtar.

Dhe pas vitit 2013, njëri pas tjetrit prokurorë nga Arta Marku, Olsi Çela etj, njeri tjetër përveç Edi Ramës nuk i ka penguar ata të hetojnë në çdo aspekt.
Por përdorimi politik i kësaj ngjarje tragjike, ku u sollën për qëllime të mirëfillta politike, për të pushtuar kryeministrinë Edi Rama, se donte sipas shumë gjasave të mbante edhe një fjalim, është totalisht dëshmi e keqpërdorimit total të kësaj ngjarje kryekëput për qëllime politike dhe për të fshehur përgjegjësinë e organizatorëve që sollën njerëz në një protestë, më të dhunshmen që ka pasur Shqipëria në 32 vite.

Jam shprehur, shprehem dhe do shprehem, mbështes çdo lloj hetimi të kësaj ngjarje, por gjithashtu deklaroj se nuk ka asgjë tjetër vetëm për të shpëtuar përgjegjësinë e atij që organizoi protestën më të dhunshme për qëllime të pushtetit të tij, Edi Ramës.