Aktualitet Politikë

Tensione në Kuvend, Balla-Berishës: Dil sot në protestë po ta mbajti!

Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla u përplas me Sali Berishën në Kuvend, pasi kreu demokrat kërkoi ndryshimin e rendit të ditës dhe dorëheqjen e kryeministrit, referuar kërkesave të protestuesve që prej 18 ditësh protestojnë masivisht në Tiranë.

Balla i kërkoi Berishës të dilte në protestë e vuri në dukje se ka bërë kallëzim për Berishën, duke iu bërë nder protestuesve, që thërrasin “Berisha në burg”.

Ai iu drejtua Berishës me fjalën “pelikan”. Ndërsa në këmbë u çua dhe Flamur Noka, duke tensionuar më shumë situatën.

Debati në Kuvend:

Balla: I fundit që mund të flasë në emër të protestuesve është ky pelikani këtu. Sali Berisha, sot pasdite dil në protestë, dil po ta mbajti.

Unë meritoj një falënderim nga protestuesit. Ata thonë Sali Berisha në burg dhe unë e kam bërë një kallëzim për ty. Qesharak më të mëdhenj se ju s’ka.

Flamur Noka: Ti je përdhunues. Je vrasës, trafikant.

Ndërkohë kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha nga foltorja e Kuvendit deklaroi se “ky parlament nuk mund të trajtojë çështje tjetër përveç axhendës së qytetarëve në protestën më madhështore në historinë e këtij vendi”.

Zoti kryetar, në procesverbal keni censuruar fjali të tëra për shkak të tmerrit që keni nga fjala ime. Por, ato i kanë dëgjuar qytetarët dhe nuk është qëllimi pse e marr fjalën.

Qëllimi pse e marr fjalën është se gjithçka lexuat ju aty, nga e para tek e fundit, është një sfidë, është një karshillëk, është përçmim për protestën e qindra mijëra shqiptarëve të cilët kanë një axhendë ndër më të drejtën që ka pasur ndonjëherë, axhendë që dje u mbështet fuqimisht nga Parlamenti Evropian.

Ky parlament nuk mund të trajtojë çështje tjetër përveç axhendës së qytetarëve në protestën më madhështore në historinë e këtij vendi.