Kryeministri Edi Rama tha se drejtësia për vrasjet e 21 janarit 2011 “është drejtësi jo thjesht për një ngjarje të djeshme, por të sotmen dhe të nesërmen”. Për Ramën, i cili drejtonte opozitën socialiste në vitin 2011, ajo çfarë ka ndodhur më 21 janar është e qartë si drita e diellit. Në rrjetet sociale, iu përgjigj atyre që e akuzojnë se ka ndikuar që urdhëruesit dhe ekzekutorët e Aleks Nikës, Ziver Veizit, Hekuran Dedës e Faik Myrtajt, të mos dalin ende para drejtësisë.
Të të akuzojë për drejtësinë për 21 janarin dikush që emrin në profilin e tij e ka në primaret e PD-së është për të qarë e qeshur. Nuk është qëllimi im të bëj polemikë me askënd që komenton, por fokusohemi tek thelbi. Nga dëshira për drejtësi harrojnë se jemi në një sistem kur drejtësinë nuk e bën as kryeminsitri, as qeveria e as partia në pushtet.
Të gjitha kritikat apo akuzat drejtuar meje e prej nesh për mosdhënien e drejtësisë së 21 janarit janë në adresë të gabuar. Nga ana tjetër, unë dhe ne, nuk kemi qëndruar duarkryq por kemi bërë betejë epokale për drejtësi për pavarësimin e saj nga pushteti politik dhe krijimin e kushteve që drejtësia të bëjë drejësi për të gjithë. Pa PS-në e mua në krye, nuk do të kishte as Reformë në Drejtësi, as SPAK.
Kjo është një rrugë e re ku institucionet e reja kanë të gjithë mbështetjen tonë. Pjesë e kësaj mbështetjeje të pakrahasueshme me asgjë është dhe qëndrimi për të mos bërë komente për raste konkrete edhe sikur të mos jemi dakord fare me trajtimin e tyre. Çfarë mund të them për drejtësinë e 21 janarit?
Kam aq shumë për të thënë sa nuk ua tregoj dot, por do t’i rri besnik qëndrimit për të mos bërë komente duke uruar e dashur të besoj se SPAK-u nuk do të jetë për shumë kohë i zënë me gjithçka tjetër përveçse 21 janarin, i cili për më tepër është rast i qartë si drita e diellit.
Prandaj, çdo vit që kalon jo vetëm shtohet barra e turpit mbi këdo që duhet të japë drejtësinë e munguar, por njollos dhe vetë Reformën në Drejtësi duke poshtëruar jo vetëm familjet e dëshmorëve, por një popull të tërë që do dhe meriton drejtësi për 21 janarin. Drejtësia për 21 janarin është drejtësi jo thjesht për një ngjarje të djeshme, por të sotmen dhe të nesërmen.