Celebrities Live From Tirana

A po përfshihen gratë dhe vajzat e reja në sipërmarrje? Për këtë e shumë të tjera Blendina Cara flet për TAR!

Sot e ftuar në emisionin “Live from Tirana” ishte Blendina Cara, drejtuese e “Women’s Founder Network Albania”. Çfarë është në vetvete ky komunitet?

Ne jemi një komunitet informal, jemi vullnetar. Erdhi si nevojë për të zgjidhur një problem që ekziston. Në takimet e mia me sipërmarrëse gra kam evidentuar një hezitim të tyre për të qenë pjesë e sallave, takime formale ku dominojnë burrat, jo për të thënë që nuk janë të zonja por shoqëria jonë e tillë është. Gjërat kanë ndryshuar, sipërmarrëset e reja janë më të forta, më të guximshme, kanë një ndryshim nga brezi i viteve 2000, janë më inovatore.

A mendoni se ka një rritje të sipërmarrësve gra?

Po mendoj se ka një rritje, sidomos vajzat e reja të brezave të rinj janë më të prirura ta shohin sipërmarrjen si karrierë. Komuniteti jonë ofron mbështetje të vazhdueshme teknike, financiare. Po jetojmë në një kohë më të mirë për vajzat që zgjedhin sipërmarrjen. Rruga është e gjatë, ne e dimë shumë mirë se është ndryshe në Tiranë dhe ndryshe jashtë Tiranës por mund të themi që po ecin me hapa të duhur dhe po ndryshojnë disi përsa i përket të bërit biznes në një nivel ndërkombëtar. Jemi një treg i vogël dhe tregje si vogla si Shqipëria duhet të jenë inovatore. 

A ka ide start up-esh dhe ku janë fokuset e grave që duan të kenë një rrugëtim në sipërmarrje?

Ndryshon pak trend-i jashtë Tiranës me këtu. Mes vajzave dhe grave është shumë divers fusha e veprimit. Mund të jenë aplikacione, turizëm, digital marketing, fusha më domaninate në Shqipëri. Në një shkallë më të gjerë kemi start up-e të ndryshme te drejtuar nga vajza dhe djem, nuk janë të ekspozuar sa bizneset tradicionale por ekzistojnë dhe po rriten, po ngrejnë fonde, investime jashtë Shqipërisë. Do të shohim raste suksesi shumë të mëdha.

A ka mbështetje nga instancat shtetërore ka për këto gra dhe vajza të reja?

Nuk jam shumë e informuar. Kam dëgjuar se ekziston një fond nga Bashkia Tiranë për gratë dhe vajzat, por nuk mund të flas saktësisht për këtë. Komuniteti jonë fokusohet që ndryshimin ta bëjmë vet, duke ndihmuar e duke i dhënë mundësi njëra-tjetrës duke krijuar partneritete me organizata ndërkombëtare. Ndihma e shtetit është mëse e nevojshme, kam parë këto kohë që Ministria e Sipërmjarrjes po flet për një fond për start up-e dhe shpresoj t’i japë një dorë sipërmarrësve.