Policia e Fierit arrestoi në flagrancë dy 24 vjeçarë nga Roskoveci, pas aksidentit të rëndë të një nate më parë në fshatin Suk 1. Me automjetet e tyre përplasën dy çobanë, njëri prej të cilëve ndërroi jetë dhe një tjetër u plagos.
Njoftimi zyrtar policor:
Në vijim të informacionit të dhënë mbi aksidentin e mbrëmshëm, informojmë se specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasit Q.M., 24 vjeç dhe L.M., 24 vjeç, të dy banues në Roskovec, pasi me automjetet që drejtonin, kanë përplasur 31 bagëti të imëta që lëviznin në fshatin Suk 1, Roskovec, si dhe 2 çobanët që ruanin bagëtitë, shtetasit F. G., 79 vjeç dhe K. H., 32 vjeç. Si pasojë, ka humbur jetën 79-vjeçari, si dhe është dëmtuar shtetasi K. H., i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.
Shtetasi Festim Gllava, 79 vjeç, humbi jetën dhe K.H., 32 vjeç, mbeti i plagosur e po trajtohet në spital. Po dje, një aksident me dy viktima u regjistrua në aksin Gjirokastër-Tepelenë. Për pasojë, sot njoftohet arrestimi i një 54-vjeçari për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Njoftimi zyrtar policor:
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, për aksidentin e ndodhur në aksin rrugor “Gjirokastër-Tepelenë”, në vendin e quajtur “Kthesa e Viroit”, informojmë se në vijim të veprimeve hetimore, specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore arrestuan në flagrancë shtetasin B. Gj., 54 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.