Një 23 vjeçar u arrestua sot në Elbasan lidhur me aksidentin rrugor të një dite më parë, me pasojë vdekjen e një këmbësori 69 vjeç në aksin Elbasan-Peqin. Viktima u përplas nga makina me drejtues të riun. Për fat të keq, ndërroi jetë në spital.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin Xh.P., 23 vjeç, pasi ditën e djeshme, në aksin rrugor “Elbasan-Peqin”, me automjetin që drejtonte, ka aksidentuar shtetasin Rr.Gj., 69 vjeç, këmbësor, i cili si pasojë e dëmtimeve humbi jetën në spital.
Po dje, dy vetë u lënduan në një aksident rreth orës 21:35 të mbrëmjes pranë fshatit Shijan, në aksin Sarandë-Delvinë. Një automjet tip “Volkswagen Golf” përfundoi i përmbysur në një kanal pasi drejtuesi humbi kontrollin. Ai dhe një pasagjer u lënduan. Të plagosurit u transportuan me urgjencë drejt spitalit, ku mjekët konfirmuan se fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën.
Policia në vendngjarje nisi punën për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet. Hetimet e para sugjerojnë se humbja e kontrollit të mjetit mund të ketë ardhur si pasojë e shpejtësisë ose kushteve të rrugës.
Në një tjetër zhvillim, uniformat blu arrestuan në flagrancë edhe dy shtetas të tjerë, për drejtim automjeti në gjendje të dehur. Njëri prej tyre u përplas me një makinë në Prrenjas.
-L.Q., 47 vjeç, banues në Durrës, u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur;
-G.B., banues në Prrenjas, u arrestua pasi në Prrenjas, automjeti që ai drejtonte në gjendje të dehur, është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin E.G., 34 vjeç, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.