Sociale

AMA dhe platforma X në një front kundër përmbajtjes së dëmshme online!

Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) ka bërë të ditur sot një hap të rëndësishëm drejt sigurisë dhe rregullimit të përmbajtjes online në gjuhën shqipe, duke vendosur një bashkëpunim zyrtar me platformën X (ish-Twitter). Këtë e bëri të ditur kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, e cila njoftoi krijimin e një kanali të dedikuar komunikimi me platformën X.

Sipas njoftimit zyrtar, ky kanal do të shërbejë për raportimin dhe trajtimin e përmbajtjeve të dëmshme, që përfshijnë: Nxitje ose shfaqje të dhunës, gjuhë urrejtjeje, shkelje të të drejtave të fëmijëve, cenim të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, përmbajtje që rrezikojnë komunitete të caktuara. Në deklaratën e saj, Krasniqi theksoi:

“Një mjedis i pastër digjital, pa dhunë e urrejtje dhe mbrojtja e të drejtave të fëmijëve apo komuniteteve është prioritet për ne,” ndërsa shprehu mirënjohje për bashkëpunimin me platformën globale.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur rritja e përdorimit të rrjeteve sociale në gjuhën shqipe ka sjellë edhe sfida të shumta në lidhje me rregullimin e përmbajtjes dhe mbrojtjen e përdoruesve, veçanërisht të miturve dhe grupeve të cenueshme.