Për ambasadorin e OSBE-së në Tiranë, Mishel Tarran, protestat qytetare që vijojnë prej fundit të majit janë një element i demokracisë dhe shprehet i gëzuar që këto tubime kanë qenë paqësore dhe pa incidente të rënda.
Protestat janë një aspekt normal i jetës demokratike dhe gëzohem që Shqipëria është bërë një vend ku protesta të tilla organizohen në mënyrë shumë qytetare dhe paqësore. Ka pasur disa incidente, por në përgjithësi, pas më shumë se një muaji, nuk ka pasur incidente të rënda, deklaroi Tarran duke folur nga Korça.
Por, lidhur me klimën politike në vend, diplomati shprehu pakënaqësi për mungesën e dialogut mes palëve, duke deklaruar se dialogu politik në Shqipëri nuk është në nivelin e duhur.
Fakti që ekzistojnë dy, tre apo më shumë pole në politikë është diçka normale. Është një karakteristikë e vendeve demokratike. Fatkeqësisht, dialogu politik në Shqipëri nuk është në nivelin e duhur.