Princi Leka ka ndarë me publikun fotografinë e parë pas lindjes së djalit të tij, Princ Aleksandrit, duke emocionuar ndjekësit me një moment të rrallë familjar.
Fotografia bardhezi, e publikuar në rrjetet sociale, tregon Princeshën Blerta duke mbajtur në krahë të porsalindurin, ndërsa Princi Leka i qëndron pranë dhe i mban dorën bashkëshortes. Imazhi përcjell një atmosferë të ngrohtë dhe intime, vetëm një ditë pas ardhjes në jetë të trashëgimtarit më të ri të familjes mbretërore.
Krahas fotografisë, u publikua edhe njoftimi zyrtar i Oborrit Mbretëror Shqiptar, i cili konfirmon lindjen e Princ Aleksandrit dhe jep detaje mbi këtë ngjarje të rëndësishme.
Njoftim Zyrtar:
Oborri Mbretëror Shqiptar ka kënaqësinë e veçantë të njoftojë lindjen e Lartësisë së Tij Mbretërore, Princ Aleksandër i Shqiptarëve, djalit të Lartësive të Tyre Mbretërore, Princit të Kurorës Leka II i Shqiptarëve dhe Princeshës Blerta. Princ Aleksandri lindi paraditen e së premtes në orën 11:11 më 10 korrik 2026.
Lartësia e Saj Mbretërore, Princesha Blerta, solli në jetë Princ Aleksandrin në Spitalin Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, në Tiranë. Princ Aleksandri lindi me peshë 3 kg e 115 gramë.
Princesha Blerta dhe Princ Aleksandri gëzojnë shëndet të plotë.
Princi i Kurorës dhe Princesha Blerta shprehin mirënjohjen e tyre të sinqertë ndaj ekipit mjekësor të Spitalit Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” për kujdesin e jashtëzakonshëm, profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar gjatë kësaj ngjarjeje të gëzueshme.
Oborri Mbretëror Shqiptar.
Lajmi për lindjen e Princ Aleksandrit u prit me urime të shumta në rrjetet sociale, ndërsa fotografia e parë e publikuar nga Princi Leka u shpërnda gjerësisht, duke shënuar një moment të rëndësishëm për familjen mbretërore shqiptare.