Bota

Amerika dhe Irani arrijnë përparim, hiqen sanksione e lirohen asete iraniane!

Negociatat mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit përfunduan në mënyrë konstruktive në Zvicër, ndërsa bisedimet teknike do të vazhdojnë gjatë kësaj jave, sipas ndërmjetësve ndërkombëtarë.

Takimi vjen pas një periudhe tensionesh e pasigurish, të nxitura edhe nga deklaratat e fundit të presidentit amerikan Donald Trump.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, njoftoi se si rezultat i progresit të arritur në negociata, janë hequr sanksionet ndaj eksporteve iraniane të naftës dhe u lirua një pjesë e aseteve të ngrira të vendit jashtë kufijve.

Eshtë nisur një plan i madh rindërtimi dhe zhvillimi për Iranin.

Ndërmjetësit nga Katari dhe Pakistani bënë të ditur se Amerika dhe Irani ranë dakord të krijojnë një Komitet të Nivelit të Lartë, që do të sigurojë mbikëqyrjen politike të procesit të ndërmjetësimit.

Sipas deklaratës së përbashkët, nën drejtimin e këtij komiteti do të veprojnë grupe pune të fokusuara në programin bërthamor iranian, sanksionet ekonomike dhe mekanizmat për zbatimin e marrëveshjes së ardhshme.

Ndërmjetësit e përshkruan rezultatin e bisedimeve si “përparim inkurajues”, një zhvillim që konsiderohet i rëndësishëm pas muajsh tensionesh e mosmarrëveshjesh.

Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga pikat më të ndjeshme të negociatave. Trump ka sugjeruar më herët vendosjen e tarifave të kalimit në këtë korridor strategjik detar, ndërsa ka insistuar që Irani të mos ketë mundësi të vendosë tarifa të tilla.

Megjithatë, pas përfundimit të bisedimeve në Zvicër, Katari dhe Pakistani njoftuan se SHBA-të e Irani ranë dakord të krijojnë një linjë të drejtpërdrejtë komunikimi për menaxhimin e incidenteve në Ngushticën e Hormuzit.

Qëllimi i këtij mekanizmi është shmangia e incidenteve dhe keqkuptimeve, si dhe garantimi i kalimit të sigurt të anijeve tregtare gjatë periudhës 60-ditore të parashikuar në marrëveshjen e përkohshme.

Një tjetër çështje që vazhdon të pengojë përparimin e plotë të negociatave është konflikti mes Izraelit dhe Hezbollahut në Liban, i cili ka vazhduar pavarësisht rinovimit të fundit të armëpushimit.

Për të adresuar këtë problem, palët ranë dakord të krijojnë një “qelizë dekonflikti” për Libanin, që do të ndërmjetësohet nga Katari dhe Pakistani. Kjo strukturë synon të kontribuojë në ndërprerjen e operacioneve ushtarake dhe uljen e tensioneve në rajon.

Sipas ministrit iranian Abbas Araghchi, suksesi i kësaj nisme do të përbëjë “testin e parë të vërtetë” për efektivitetin e marrëveshjeve të arritura mes palëve.

Pavarësisht sfidave të mbetura, zhvillimet e fundit kanë rritur shpresat për një normalizim gradual të marrëdhënieve mes Uashingtonit e Teheranit, si dhe për një stabilitet më të madh në rajonin e Gjirit Persik dhe tregjet globale të energjisë.