Shtetet e Bashkuara do t’i kërkojnë Iranit të deklarojë publikisht se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e hapur për lundrimin tregtar dhe të angazhohet për ndalimin e sulmeve ndaj anijeve, si pjesë e negociatave në program për sot në Oman.
Sipas mediave amerikane, që citojnë zyrtarë të paidentifikuar, Teherani u ka pranuar privatisht këshilltarëve të presidentit Donald Trump se sulmet ndaj anijeve tregtare ishin një gabim, duke ia atribuar ato një grupi të brendshëm radikal e që sipas Iranit, veproi jashtë kontrollit të autoriteteve.
Presidenti Donald Trump deklaroi se të dyja palët ranë dakord të vazhdojnë dialogun, pavarësisht përshkallëzimit të tensioneve këtë javë në Ngushticën e Hormuzit.
Kryediplomati iranian, Abbas Araqchi, këmbënguli se Irani ka respektuar armëpushimin e akuzoi SHBA-të për shkeljen e marrëveshjes.
Sipas raportimeve, Uashingtoni kërkon edhe që Irani të pranojë publikisht se sulmet ndaj anijeve tregtare ishin një gabim, duke paralajmëruar se mungesa e një angazhimi të tillë mund të ndikojë negativisht në rezultatin e negociatave.
Ndërkohë, një delegacion nga Katari zhvilloi vizitë në Teheran për të mbështetur përpjekjet për uljen e tensioneve dhe garantimin e lundrimit të sigurt në një nga korridoret detare më të rëndësishme për tregtinë botërore.
Tensionet mes dy vendeve mbeten të larta edhe pas deklaratave të Trump-it, i cili paralajmëroi se Amerika do të përgjigjej me forcë nëse Irani do të ndërmerrte ndonjë sulm ndaj tij.
Këto zhvillime vijnë pas përshkallëzimit të fundit ushtarak në rajon, ku disa anije tregtare u goditën gjatë kalimit në Ngushticën e Hormuzit.