Erion Veliaj nuk lirohet. Apeli i Posaçëm la në fuqi arrestin me burg për kryebashkiakun e Tiranës, i cili kërkoi masë më të lehtë sigurie kundrejt garancisë pasurore. Ndërkaq, gjykata ndryshoi masën e sigurisë për biznesmenin Elman Abule, i cili do të lërë qelinë për të qëndruar në arrest shtëpie. Vendimin e dha gjyqtari Engert Pëllumbi. Po ashtu, mbeten në fuqi tre masa detyrim për paraqitje ndaj tre biznesmenëve Gentian Sula, Meriman Palushi e Shkëlqim Fusha.
Kujtojmë se në seancën e djeshme gjyqësore, Veliaj kundërshtoi provat e reja që pretendon Prokuroria e Posaçme, SPAK, të tilla si përgjimet. Nga ana e tij, Veliaj pretendoi se Prokuroria e Posaçme i ka përgjuar për një muaj bisedat familjare.
Ju nuk keni konsideruar prova te reja sulmet publike të Sali Berishës ndaj SPAK-ut. Por, keni konsideruar prova të reja çimkat dhe telefonatat e mia me djalin e familjen, si dhe interesimin tim për intervista në tv-të kryesore, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.
Përmes mbrojtjes, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj pati kërkuar heqje të arrestit në burg, me qëndrimin se nuk është i rrezikshëm, nuk ka rrezik për t’u larguar, nuk ka mundësi të dëmtojë provat. Por, prokurorët kujtuan se Veliaj po hetohet për korrupsion në nëntë raste, si dhe pastrim parash.
Avokati Maks Haxhia u shpreh:
Prokuroria nuk solli asnjë provë të re. Masa një absurditet që ndodh vetëm në Shqipëri, aq më tepër për vepra të tilla që nuk kanë rrezikshmëri. Nuk mund të vendoset një masë e tillë për një kryebashkiak të zgjedhur tre herë dhe t’i thuash je i rrezikshëm.
Rrezikshmëria është e lidhur me mundësinë për të kryer vepra të tjera të rrezikshme penale që dëmtojnë jetën dhe shëndetin e dikujt. Presim të ndodhë ndonjë çudi në Gjykatën e Lartë e të pranohet kërkesa për masën e sigurisë.