Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj sot përballet me një tjetër betejë ligjore në Gjykatën e Lartë, ku pritet të shqyrtohet rekursi i paraqitur prej tij për ndryshimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”. Seanca fillon në orën 13:00, ndërsa pjesëmarrës në gjykim është SPAK-u.
Veliaj kërkon që masa aktuale të zëvendësohet me “Detyrim për paraqitje” ose me liri kundrejt garancisë pasurore, duke argumentuar se nuk ekzistojnë kushtet për vijimin e mbajtjes së tij në paraburgim.
Në arrest me burg ndodhet prej shkurtit 2025. Gjatë muajve të fundit, Veliaj ka bërë disa përpjekje për të siguruar lirimin ose lehtësimin e masës së sigurisë, por kërkesat e tij janë rrëzuar në të gjitha shkallët e gjyqësorit, duke lënë në fuqi vendimet e mëparshme të gjykatave.
Zhvillimi më i fundit në këtë proces erdhi vetëm pak ditë më parë, kur Gjykata Kushtetuese vendosi t’i pranojë pjesërisht kërkesën, duke shfuqizuar vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë të datës 8 korrik 2025 dhe urdhëruar rikthimin e çështjes për rishqyrtim në të njëjtën gjykatë.
Objekti i shqyrtimit në Kushtetuese kishte të bënte me kundërshtimin e vendimeve të dhëna nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Apeli i Posaçëm dhe Gjykata e Lartë, që kishin lënë në fuqi “Arrestin në burg” ndaj kryebashkiakut.
Sipas njoftimit zyrtar, Gjykata Kushtetuese e shqyrtoi çështjen vetëm në aspektin procedural dhe substancial të caktimit të masës së sigurisë, pa hyrë në themelin e hetimeve.
Në vendim, Kushtetuesja përcaktoi:
Pranimin e pjesshëm të kërkesës; shfuqizimin e vendimit të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë; si dhe rikthimin e çështjes për shqyrtim në Gjykatën e Lartë.
Veliaj ka deklaruar se do të ndjekë deri në fund të gjitha rrugët ligjore për të kundërshtuar procesin duke kërkuar verifikimin e plotë të ligjshmërisë së ushtrimit të detyrës së prokurorit të çështjes.
Sipas tij, askush nuk mund të ushtrojë funksione publike në kundërshtim me kriteret ligjore dhe pa transparencë institucionale.