Rikthehen në pikën zero përpjekjet për gjetjen e Muharrem Plakut, prej 5 ditësh i bllokuar në një nga galeritë e Zonës D, në Minierën e Bulqizës. Burime nga ekipi i kërkim-shpëtimit, bëjnë të ditur se mbrëmë pati një tjetër shembje masive në thellësinë 450 metra, aty ku dyshohet se ka mbetur 61-vjeçari pas rënies së një masivi mineralesh.
Prej mëngjesit të 15 shtatorit vijojnë pa ndërprerje kërkimet e grupeve të Autoritetit Kombëtar të Sigurisë dhe Emergjencave në Miniera. Situata është e vështirë pasi ka rrjedhje nga mineralet. Në pritje të lajmeve për fatin e punonjësit të nëntokës, familjarë të tij presin te dera e galerisë.
Shqetësimin për fatin e punonjësit të nëntokës e ka shprehur edhe kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla, i cili në një postim në rrjetet sociale shkruan:
I shqetësuar pafundësisht për situatën rreth kërkimeve të minatorit Muharrem Plaku. Çdo punë dhe angazhim i yni është për të mirën e qytetarëve tanë, por jeta e secilit prej tyre, në qytet apo në fshat, kudo qoftë, vlen më shumë se gjithçka tjetër. Lutem që ekipet e kërkimit të arrijnë sa më parë tek Muharremi dhe ta nxjerrin atë shëndoshë e mirë, ta bashkojnë me familjen e të afërmit e tij, dhe t’i japin fund shqetësimit dhe ankthit që ka pushtuar të gjithë bashkëqytetarët tanë, e jo vetëm.