Pasi dje një minator humbi jetën si pasojë e shembjes së një masivi shkëmbor në një minierë në Bulqizë, në pranga u vunë dy punonjës të stafit teknik, me akuzën se nuk morën masa për sigurimin e kushteve të mbrojtjes në punë.
38-vjeçari K.D. gjeti vdekjen si pasojë e shembjes së një masivi shkëmbor gjatë punës në galeri, në një subjekt minerar në zonën D të Bulqizës.
Në pranga përfunduan dy punonjësit, G.K., 47 vjeç, me detyrë brigadier dhe B.C., 62 vjeç, me detyrë teknik, të dy banues në Bulqizë.
Gjithashtu, po hetohet në gjendje të lirë edhe 67-vjeçari R.P., me detyrë drejtues teknik në subjektin minerar.
Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se këta shtetas, me veprimet ose mosveprimet e tyre, nuk kanë marrë masat e duhura për garantimin e kushteve të sigurimit teknik të punës në subjektin minerar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me pasojë vdekjen.