Aktualitet

Atentati i mbrëmshëm në Tiranë, zbulohet fotoja e viktimës!

Atentati i mbrëmshëm në kryeqytet, pista kryesore ku Policia e Tiranës po heton për vrasjen e Bujar Nasufit janë konfliktet brenda rrethit familjar lidhur me pronat. 56 vjeçari u ekzekutua me armë zjarri, një natë më parë, pranë Pallatit me Shigjeta.

Nasufi rezultonte pronar i një mobilierie që po likuidohet.  Grupi hetimor sekuestroi disa kamera sigurie ku autori i krimit shfaqet me kapuç, në përpjekje që të fshehë identitetin e tij. Nga këqyrja e pamjeve, autori shfaqet duke e pritur viktimën në afërsi të banesës, përpara se të vinte.

Bujar Nasufi nuk ka patur precedentë penalë, ishte person i paskeduar për policinë. Dje rreth orës 20:40, ndaj tij u qëlluan gjashtë plumba, por vetëm dy e kapën. 56 vjeçari ndërroi jetë rrugës për në spital ndërsa autori i krimit u largua me një motor drejt zonës së Selitës.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se në momentin e vrasjes ishin dy automjete, makina e viktimës dhe ajo e vëllait të tij e që ishin afruar në banesë, pasi të dyja familjet jetojnë në një godinë, një pallat i ndërtuar para disa vitesh. Në rrugicë, fillimisht hyri mjeti i të vëllait, më pas i Bujar Nasufit, i cili u qëllua kur po tentonte të parkonte.