Lufta kundër trafiqeve dhe krimit të organizuar ishin në qendër të takimit të sotëm mes Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, dhe ambasadorit të Spanjës në Tiranë, Gabriel Cremades Ventura.
Në selinë e Policisë së Shtetit, Hita priti ambasadorin spanjoll, i cili shoqërohej nga përfaqësues të Ministrisë së Brendshme të Spanjës dhe strukturave të bashkëpunimit policor.
Gjatë bisedës, të dyja palët vlerësuan rezultatet e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Spanjës në goditjen e rrjeteve kriminale, me theks te trafikimi i narkotikëve, armëve të zjarrit dhe emigracioni i paligjshëm. Në takim u përmendën edhe operacioni “Nomada” dhe Skuadra e Përbashkët Hetimore, si modele konkrete të këtij koordinimi.
Hita theksoi se Policia e Shtetit synon të shtojë operacionet e përbashkëta me autoritetet spanjolle dhe të forcojë shkëmbimin e informacionit në kohë reale.
LEXO EDHE: Goditje rekord në Spanjë! Sekuestrohen 40 ton kokainë në Oqeanin Atlantik!
Pjesë e diskutimeve ishte edhe bashkëpunimi në fushën e arsimit policor, përmes lidhjeve mes Akademisë së Sigurisë dhe Shkollës Kombëtare të Policisë së Spanjës, me synimin për trajnimin e efektivëve të rinj sipas standardeve bashkëkohore.
Ambasadori Ventura, nga ana e tij, vlerësoi Policinë e Shtetit si një partner të besueshëm dhe shprehu gatishmërinë e autoriteteve spanjolle për të zgjeruar më tej bashkëpunimin në luftën kundër krimit ndërkombëtar.