Sali Berisha sot u paraqit në mjediset e SPAK-ut në zbatim të masës “Detyrim për paraqitje”. I dyshuar për korrupsion lidhur me dosjen e privatizimit të ish-klubit sportiv “Partizani”, jashtë godinës, Berisha u prit nga mbështetës. Kryetari demokrat akuzoi qeverinë se ka kapur drejtësinë dhe sipas tij, ka vendosur presion të paprecedentë mbi gjykatësit e prokurorët. Referuar çështjes Veliaj, theksoi se ky është një rast i rrallë në historinë botërore, ku shteti proteston kundër drejtësisë.
Por, unë sot do të dënoj me forcën më të madhe aktin puçist, banditesk të narkoqeverisë dhe narkobashkisë Rama, të cilët morën peng për orë të tëra gjykatës dhe prokurorë të çështjes Veliaj. Rikthyen në Tiranë skenat e viteve ’80, kur Escobar sulmoi gjykatën dhe aty pati viktima të tëra. Pas 40 e ca vitesh, Ediscobar-i kreu të njëjtin akt ndaj gjykatës dhe prokurorisë.
Në historinë e botës ka pra vetëm dy raste, ka rastin Escobar dhe rastin Ediscobar. Në historinë e botës ka me qindra raste protestash opozitare apo grupe interesi para gjykatave dhe prokurorive në çdo kryeqytet të botës. Por, protestë shtetërore, protestë e organeve shtetërore, ajo përbën një grusht shteti brenda shtetit.
Dhe e garantoj Edi Ramën dhe Erion Veliajn se ky krim antikushtetues do u regjistrohet atyre dhe do ndëshkohen në mënyrë shembullore që kujt të mos i shkojë mendja në pushtet të sulmojë pushtetin tjetër.
Erion Veliaj, çfarë do të fshehë propaganda e qeverisë? Propaganda e qeverisë do të fshehë dhjetëra kompani të krijuara nga familjarët e Ajolës dhe Erionit. Ai vëllai i tij, si u zhduk? U bë i penduar? A e keni parë se nuk përmendet më vëllai i Erion Veliajt? Ku është zhdukur ai? Po të jetë bërë i penduar ai, është punë tjetër, nuk ndërhyj.
Pra, me dhjetëra kompani, BYLI, Eventi, Muza, Shizi, çfarë emrash që nuk mund t’i imagjinoni, që të gjitha vinin, merrnin paratë për Ajolën dhe Erionin në Bashkinë e Tiranës, në drejtorinë e qeverisë, në Ministrinë e Kulturës.
Pa lëre, kanë vjedhur paratë e taksapaguesve të SHBA-ve dhe BE-së. Tani unë i them, Edi Ramës jep dorëheqjen për të gjitha paratë që u keni vjedhur.