Teksa protesta kundër qeverisë ka hyrë në javën e katërt, ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodimir Shkurov, tha të hënën se protestat paqësore janë një e drejtë demokratike, por kërkesat e qytetarëve mund të adresohen edhe përmes institucioneve.
Në një prononcim për mediat nga Roskoveci, Shkurov tha se ambasada ukrainase po i ndjek me vëmendje zhvillimet në Shqipëri.
“Ne po i ndjekim me vëmendje protestat dhe zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe sigurisht në një shtet të lirë ekziston mundësia për të shprehur mendimin e lirë, por ne e dimë që paralelisht qeveria po shikon edhe kërkesat e protestuesve”, u shpreh ai.
Ambasadori ukrainas tha se vendi i tij, i cili prej vitesh përballet me luftën, e njeh rëndësinë e protestave paqësore, por nënvizoi se diskutimi për kërkesat mund të zhvillohet edhe në institucionet demokratike.
“Duke qenë se ne jemi një shtet aktualisht në luftë, ndoshta më shumë se kushdo tjetër kemi të drejtë të themi se protestat paqësore kanë të drejtë të ekzistojnë, por nga ana tjetër kërkesat mund të vijnë e të zhvillohen edhe në sallën e Parlamentit, jo vetëm në rrugë”, tha Shkurov.
Diplomati ukrainas vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin mes dy vendeve, duke theksuar mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë Ukrainës në vitet e fundit.
“Ne si ambasadë jemi prej 5 vitesh në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë shqiptare dhe kjo qeveri e kryesuar nga kryeministri Edi Rama ka qenë partnere dhe mbështetëse, jo vetëm me ndihmë të drejtpërdrejtë, por edhe në organizatat me ndikim ku ka marrë pjesë Shqipëria, siç ka qenë OKB, ku qeveria shqiptare ka pasur një jehonë të madhe edhe në Ukrainë”, deklaroi ai.
Këto komente Shkurov i bëri pas vizitës në Bashkinë e Roskovecit, ku ishte pjesë e delegacionit të bashkisë ukrainase Letychiv në kuadër të projektit “Pathways of Partnership”, i mbështetur nga NALAS. Projekti synon forcimin e bashkëpunimit, shkëmbimin e eksperiencave dhe transferimin e praktikave të mira në qeverisjen vendore.
Gjatë vizitës, ambasadori ukrainas vlerësoi edhe bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, duke theksuar se ministritë e Bujqësisë duhet të forcojnë partneritetin, ndërsa përmendi edhe marrëveshjen në fushën e transportit, e cila sipas tij ka sjellë lehtësira për lëvizjen e mallrave dhe ka ndikuar pozitivisht edhe në sektorin e bujqësisë.