Gjekmarkaj: Faji që nuk votojnë të rinjtë gjendet nga familja e deri tek deputetët e rinj…
Dilema Sociale
14:58 19/02/2021
Pse votuesit janë të pavendosur gjithmonë edhe më shumë?! Kush janë ndikuesit kryesorë?! Po të rinjtë pse nuk po votojnë, kush janë idealet politike?!
“Dilema Sociale” nisi sot si çdo të enjte për të diskutuar dilemat në votime, me të ftuar në studio pedagogun dhe analistin, Agron Gjekmarkaj.
Gjekmarkaj është ndodhur shpesh brenda politikës dhe brenda jetës studentore, në audicionet ku jep mësim, sot në një intervistë për Top Albania Radio me Eno Popin, ka shprehur të gjitha arsyet pse të rinjtë nuk po votojnë dhe nuk po gjejnë një shembull në politikë.
Që të shndërrohesh në model frymëzimi, duhet të kesh kostancë etike, intelektuale dhe morale, që këta nuk e kanë praktikisht sepse kur është bërë përzgjedhja nuk është bërë për cilësitë që këta kanë dhe këta kanë modelin më të keq dekurajues. Tek dekurajimi ndikon politika shumë, por janë edhe shumë faktorë të tjerë kulturorë edhe socialë që ndikojnë.
Kjo fillon që në klasë të parë, që në shkollë, ndikon tek familja, tek oborri pallatit, ambienti shoqëror, janë një sërë faktorësh që ndikojnë… sigurisht që jeta është pragmatizëm edhe materializëm… kështu që politikanët janë bërë shumë të zgjuar, lidërshipi dhe kuptojnë që për të sunduar iu duhen ushtarë dhe pikërisht ushtarë të rinj, gjak i freskët…
Gjithashtu, Gjekmarkaj krahason protestën studentore të dhjetorit në vitin 1990 me studentët sot, të cilët këta të fundit e kanë zhgënjyer, në një farë mënyre u treguan frikacakë. Ndërsa kohë më parë studentët ishin guximtarë ndaj rrezikut, e kishin ëndërruar aq shumë lirinë saqë e morën me bindje dhe duke treguar konstancë. Nuk patën frikë as policinë dhe as Ramiz Alinë…
Çepani: “Ne marrim punonjës nga Filipinet sepse të rinjtë shqiptarë nuk punojnë”
Dilema Sociale
18:52 05/02/2021
Disktuam rreth ‘Dilemës së dembelëve’ mbrëmjen e kaluar në “Dilema Sociale” me Eno Popin. Nisur nga një kërkim studimor i bërë së fundmi ku tregohet se një përqindje e madhe e të rinjve shqiptarë u bëjnë bisht punës, nëpërmjet një analize në studio donim t’i jepnim përgjigje pyetjes se përse ndodh kjo.
I ftuari i parë që iu bashkua këtij diskutimi për mikrofonin e Top Albania Radios ishte fituesi i “Big Brother Albania 1” dhe tashmë sipërmarrësi i suksesshëm, Arbër Çepani.
Si një individ i cili gjithmonë ka punuar fort dhe i është përkushtuar pa kompromise karrierës së tij, Arbri u shpreh se ka shumë arsye përse të rinjtë në Shqipëri janë të demoralizuar sa i përket punës. Ai theksoi se ka një mungesë të madhe përkushtimi të të rinjve, kjo pasi janë të verbuar nga shembujt negativë që tregojnë se të bëhesh milioner ndodh edhe brenda natës.
Një pikë e diskutimit ishte dhe deklarata e kryeministrit të vendit i cili u shpreh se në Korçë ka të rinj që fitojnë deri në 4000 dollarë çdo muaj nga punët online. Arbri theksoi se të rinjtë e marrin për të mirëqenë këtë fakt dhe punët me një pagesë prej 300-400 mijë lekësh të reja në muaj, nuk u hyjnë aspak në sy.
Për këtë arsye, në një ndër bizneset e tij, gjatë sezonit të kaluar veror ai u detyrua të punësojë një grup filipinezësh për të bërë ato punë që të rinjtë shqiptarë i refuzojnë pasi janë gjithmonë në kërkim të diçkaje më të madhe. Çepani këmbëngul që të gjithë të rinjtë shqiptarë duhet t’i përkushtohen të gjitha llojeve të punës dhe t’i shohin ato si një eksperiencë më shumë sesa thjeshtë të presin që të bëhen milionerë nga hiç-i.
Ja gjendja e Eno Popit, pas infektimit me COVID-19
Dilema Sociale
22:22 29/01/2021
Moderatori i njohur, Eno Popi, ka nisur numërimin mbrapsht, normalisht se vetëm ditët e karantinës janë ato që nuk mund të mbarojnë aq shpejt. Kanë kaluar 10 ditë deri më sot, ndërsa Eno u largua për shkak të rezultatit pozitiv të tamponit nga COVID-19.
Edhe sot programi “Dilema Sociale” vazhdoi në kushtet e shtëpisë mes sfidës së detyrueshme. Nga komunikimi me kolegët, leximi i librave, filmat dhe deri tek lajmet në televizor apo online, Enos ju desh të ndante me dëgjuesit e radios se sip o kalojnë ditët në karantinë. Sidoqoftë ai është në mbyllje të takimit me COVID-19.
Eno nuk lë pa përmendur edhe shqetësimin e tij pasi mori lajmin për doktor Piperon, i cili pas vaksinimit, rezultoi sërish me COVID-19. Duket e habitshme dhe ky fakt vendos në pasiguri një popull të tërë. Kështu që ai, ka hapur menjëherë materialet e kërkimit për të gjetur arsyen se pse ndodh kjo gjë.
Sipas ISHP duhen disa javë për trupin që të krijojë imunitet pas vaksinimit. Kjo do të thotë që personi mund të infektohet me virusin që shkakton COVID-19 pak më përpara ose pas vaksinimit dhe mund të sëmuret. Kjo ndodh sepse vaksina nuk ka pasur mjaftueshëm kohë për të krijuar mbrojtje, por jo sepse është vaksina ajo që ka shkaktuar infeksionin. Ndonjëherë procesi i krijimit të imunitetit mund të shkaktojë simptoma, si psh: temperaturë. Këto simptoma janë normale dhe tregojnë se trupi po krijon imunitet.
Ndërkaq, sikur të mos mjaftonte infektimi i vetë Enos, edhe babai i tij i moshuar rezulton me COVID-19. Për shkak se babai i tij është në një moshë delikate dhe e gjithë vëmendja shkon tek ai që ta kalojë sa më shpejt dhe më lehtë.
Sonte, Eno zbuloi pak nga ditari i tij i karantinës, fatmirësisht ndodhet mirë me shëndet, janë vetëm dilemat e mëndjes ato që e shqetësojnë. Gjatë programit të sotshëm, Eno Popi pati një bisedë në telefon me kolegun, Isli Islami, i cili para dy javësh rezultoi pozitiv. Gjithashtu më pas biseda vazhdoi edhe me moderatoren Ori Nebijaj, e infektuar me COVID-19. Këto biseda ishin një reflektim dhe shkëmbim eksperiencash gjatë kohës në karantinë.
Eno na ka nisur edhe një foto live gjatë regjistrimit të programit “Dilema Siciale” nga shtëpia.
“Mungon informacioni për fëmijët autikë” shprehet nëna e dëshpëruar
Dilema Sociale
19:03 22/01/2021
Në emisionin "Dilema Sociale" ishte e ftuar në linjë telefonike, nëna e një djali autik, 13 vjeç. Ajo diskutoi një problematikë që ka mbetur e pa zgjidhur nga mjekësia. Asnjë nuk e di se si mund të ndikojë vaksina anti-COVID për fëmijët me autizëm, nëna ndihet e frikësuar dhe me shumë pikëpyetje në kokë. Në mungesë të informacionit, vaksina kthehet në një fobi për djalin e saj të sëmurë.
Eno Popi
Pediatre Alketa Hoxha: Nuk do të vizitoj asnjë fëmijë të pa vaksinuar!
Dilema Sociale
18:44 22/01/2021
Vaksina anti-COVID është me dëshirë, jo me detyrim thotë doktoresha e fëmijëve. Mjekja pediatre, Alketa Hoxha ishte sot e ftuar në emisionin “Dilema Sociale” me Eno Popin në Top Albania Radio.
Sot u diskutua rreth dilemës më të madhe që po na shoqëron gjatë gjithë kohës, për ‘vaksinën’. Vaksina e parë është krijuar në vitin 1796 nga shkencëtari britanik Edward Jenner dhe arriti të shëronte atë që ende njihet si sëmundja e Lisë.
Ngjarjet e fundit politiko-sociale kanë dhënë dritën jeshile ndaj vaksinës së shumëpritur të COVID-19, por kura ndaj virusit ka hasur polemika nga shumë persona të cilët refuzojnë të vaksinohen. Por ajo që duhet të mendojmë është se çfarë duhet bërë me fëmijët apo foshnjat e porsalindura.
Për të folur rreth fëmijëve, në studio ishte mjekja Alketa Hoxha. Ajo shprehet se vaksina është me dëshirë, por vetë si pediatre nuk do të merrte përsipër asnjë fëmijë për ta vizituar nëse nuk do të jetë i vaksinuar.
Unë do të deklaroj këtu që nuk do të pranoj të vizitoj kurrë një fëmijë, i cili nuk vaksinohet. Sepse në momentin që ky fëmijë i pa vaksinuar vjen për vizitë tek unë, aty mund të kem një fëmijë, që larg qoftë të ketë një sëmundje si leucemi ose ndonjë sëmundje tjetër që është problematike te fëmijët. Atëherë, ky fëmijë që mezi ka shpëtuar nga sëmundja bazë, të marrë një virozë apo një sëmundje të fëmijës tjetër që s’është vaksinuar, kjo është fatale… është vdekjeprurëse. Vaksinimi nuk është përgjegjsi vetëm vetjake, por është përgjegjsi për tërë botën. Fatin e botës e kemi ne në dorë!